Jemi duke shkuar drejt një tragjedie të ngjashme me Luftën e Parë Botërore
- Nga: Eric Margolis
Ndodhemi përpara 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore, luftës që supozohej t'i jepte fund të gjitha luftërave. Ndërkohë që nderojmë 16 milionë të rënët në këtë konflikt, ne duhet të dënojmë gjithashtu kujtimin e politikanëve, zyrtarëve dhe gjeneralëve të paaftë që krijuan këtë gjakderdhje të tmerrshme.
Personalisht kam shkelur pjesën më të madhe të Frontit Perëndimor të Luftës së Madhe, kam vizituar fushat e betejës dhe keshtjellat me fantazma si dhe kam parë detet e kryqëzatave që shënojnë varrezat e panumërta.
Si ish-ushtar dhe korrespondent i luftës, gjithmonë e kam konsideruar Luftën e Parë Botërore si luftën më idiote, më tragjike dhe më katastrofike të të gjitha luftërave moderne.
Vazhdimi i këtij konflikti, Lufta e Dytë Botërore, vrau më shumë njerëz dhe solli më shumë shkatërrime ndaj qytetarëve në qytetet që u bombarduan dhe për mendimin tim, Lufta e Parë Botërore mbart në vetvete një tmerr dhe intensitet të veçantë. Kjo luftë nuk ishte vetëm një makth i pafund për ushtarët në llogoret vdekjeprurese, por gjithashtu i dha fund me dhunë 100 viteve te mëparshme të civilizimit të lavdishëm evropian, një nga arritjet më fisnike të njerëzimit.
Unë kam eksploruar fushat e vrasjes në Verdun shumë herë dhe ndjej një lidhje të thellë me këtë vend të tmerrshëm ku vdiqën rreth 1.000.000 ushtarë. Kam kaluar edhe natën atje, duke dëgjuar sirenat që ulërinin pa pandërprerje, duke parë prozhektorët që shponin natën, duke kërkuar fantazmat e ushtarëve francezë dhe gjermanë që vdiqën atje.
Toka e Verdunit u helmua aq shume nga eksplozivët dhe gazet vdekjeprurëse sa që deri më sot prodhon vetëm shkurre dhe pemë të thata dhe të pazhvilluara. Nën sipërfaqen e tokës dergjen eshtrat e njerëzve dhe predhat vdekjeprurëse të pashpërthyera që ende vrasin qindra persona në vit që shkelin këto toka. Faltorja e shpirtrave e Ossuaire përmban pjesë kockash të 130,000 burrave, të bërë copa-copa nga miliona predha shpërthyese që e përmbytën Verdunin.
Qyteti me të njëjtin emër është tërësisht i zymtë, melankolik dhe i mallkuar. Oficerët e rinj francezë dhe gjermanë janë sjellë këtu për të parë drejtpërdrejt tmerret e luftës dhe krimin e gjeneralëve të trashë.
Në mes të të gjithë hipokrizisë të zakonshme patriotike nga politikanët, imperialistët dhe besimtarët rreth lavdisë të kësaj masakre, kujtojmë se Lufta e Parë Botërore ishte një konflikt artificial krejtësisht i shmangshëm. Në kundërshtim me propagandën e luftës që ende bllokon dhe korrupton pikëpamjen tonë historike, Lufta e Parë Botërore nuk u fillua nga Gjermania Perandorake.
Profesor Christopher Clark në librin e tij të shkëlqyer "Somnambulët" (The Sleepwalkers) tregon se si zyrtarët dhe politikanët në Britani dhe Francë komplotuan për të transformuar vrasjen nga Serbia të Princit të Kurorës Austro-Hungareze, në një konflikt të gjerë kontinental. Franca u dogj si hakmarrje për humbjen e saj në Luftën Franko-Prusiane të 1870-s dhe humbjen e Alsace-Lorraine. Britania i druhej konkurrencës tregtare dhe detare gjermane. Në atë kohë, Perandoria Britanike kontrollonte një të katërtën e sipërfaqes së botës. Italia dëshironte të pushtonte Tirolin e Jugut të Austro-Hungarisë. Turqia kishte frikë nga dëshira e Rusisë për Ngushticat. Austro-Hungaria kishte frikë nga zgjerimi i Rusisë.
Profesor Clark tregon qartë se si francezët dhe britanikët manovruan Gjermaninë e udhëhequr keqazi në luftë. Gjermanët u shtangën duke u zene ngushte mes dy fuqive armiqësore, Francës dhe Rusisë. Sa më gjatë prisnin gjermanët, aq më shumë shanset ushtarake u kthyen kundër tyre. Tragjikisht, Gjermania ishte më pas udhëheqësi i Evropës në drejtësinë shoqërore.
Britania vazhdonte të nxiste gjakrat, e vendosur për të mposhtur rivalen komerciale dhe koloniale, Gjermaninë. Nxitimi per te hapur luftë u bë një orë gjigante me kurdisje që askush nuk mund ta ndalte. Të gjitha palët besonin se një luftë do të ishte e shkurtër dhe vendimtare. Turmat e budallenjve këndonin 'Drejt Berlinit' ose 'drejt Parisit'.
Në atë kohë vetëm një pakicë i kuptonte tmerret e ardhshme të luftës moderne ose demonët gjeopolitikë që do të shfaqeshin. Lufta Ruso-Japoneze e vitit 1904 ofroi një shije të shpejtë të konfliktit të vitit 1914, por fisnikët e lartë Evropiane nuk i kushtuan aspak vëmendje.
Akoma më pak veta e kuptonin se si kolapsi i Perandorive të vjetra Osmane dhe Austro-Hungareze do ta dërgonte Evropën dhe Lindjen e Mesme në trazirat e rrezikshme që vazhdojnë edhe sot në ditët tona. Ose se si një revolucionar pak i njohur, i quajtur Lenin do të shkatërronte Rusinë Imperiale dhe do ta kthente atë në shtetin më vrasës të botës.
Kjo luftë e çmendur në Evropë u kthye në një tragjedi historike edhe më të madhe në vitin 1917 kur Presidenti Amerikan Woodrow Wilson, i nxitur nga një epsh për pushtet dhe prestigj, hyri në një luftë pa krye në Frontin Perëndimor. Një milion trupa amerikane dhe uria e shkaktuar nga një bllokadë dërrmuese detare britanike, e kthyen valën e betejës dhe çuan në dorëzimin e Gjermanisë.
Franca dhe Britania hakmarrëse imponuan ndëshkimin e patolerueshëm ndaj Gjermanisë, duke e detyruar atë të pranonte fajin e plotë për luftën, një të pavërtetë që vazhdon deri më sot. Rezultati ishte Adolf Hitler dhe Socialistët e tij Nacionaliste. Nëse paqja e ndershme do te ishte vendosur në vitin 1917, as Hitleri dhe as Stalini nuk do të kishin pushtet dhe miliona jetë do të ishin shpëtuar. Kjo është tragjedia e vërtetë e Luftës së Madhe.
Mos harrojmë fjalët e të mençurit Benjamin Franklin: "Nuk ka luftë të mirë dhe paqe të keqe".
Përktheu për FlasShqip: Ariola Mani