Kolumnist

Protesto me studentët, për studentët dhe për Shqipërinë!

Nga: Jeta Dedja

Studentët po u japin një shans të mirë të gjithëve për të treguar se sa vlejnë. Kush nuk ka patur guxim deri më sot të reagojë ndaj padrejtësive, vjedhjeve, poshtërimeve, fyerjeve, le të ngrihet e të flasë. Kujt i ka ardhur në majë të hundës komunikimi publik i kryeministrit dhe shpurës së tij, talljeve me fatet e njerëzve, nëpërkëmbjet e dinjitetit, denigrimet e personaliteteve të ndryshme të jetës publike, le të ngrihen e të protestojnë. Kujt i është kërcënuar vendi i punës, shantazhuar e bërë presion me bukën e gojës, le të përfitojë nga guximi i studentëve. Kujt i është përbaltur puna e djersa, kujt i është grabitur prona dhe ngrënë merita le të ngrihet e të mbështesë studentët. Kujt i është vënë laku në fyt me gjoba kriminale, shterur mundësitë e mbijetesës apo shkurtuar rrezja e ankimimit, le të mbështesë studentët. Kujt nuk i ka ndodhur asgjë nga këto, por vetëm i ka soditur prej ekranit të televizorit apo lexuar rreshtave të portaleve, ka ardhur momenti të zhvillojë empatinë e të mbështesë studentët.

Protesta vërtet zhvillohet në rrugë, por në këtë botën e sotme virtuale që nuk e njeh kufizimin territorial, protesta mund të zhvillohet kudo që ka shqiptarë. Edhe shqiptarët e diasporës, të cilët ende asnjë qeveri nuk i ka numëruar si votues realë, duhet të ushtrojnë të drejtën për të protestuar.

Unë protestoj me studentët, për studentët dhe për Shqipërinë!

Tagged under Jeta Dedja