FlasShqip ju uron Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2019!

- Nga: Redaksia FlasShqip
Krishtlindja është periudha më e bukur e vitit. Shumica e njerëzve duken të lumtur, shfaqen të gëzuar, të qeshur, madje edhe më pozitivë e bujarë. Është periudha kur kujtojmë ditët, javët dhe muajt që kanë kaluar dhe e bërjes së planeve për vitin që vjen. Dikush vendos objektivat e vitit si për shembull blerja e një shtëpie të re, e një makine, realizimi i një diete, angazhimi në një punë apo shkollë, përmbyllja apo nisja e një projekti të ri. Është një periudhë shkëmbimi energjish pozitive, dhuratash e urimesh! Janë ditët kur njerëzit krijojnë ëndrra dhe ngrenë shpresa për të ardhmen e afërt. Është një periudhë paqeje dhe dashurie në pritje të një viti tjetër.
Krishtlindja dhe Viti i Ri na kujtojnë të bëjmë bilancin e vitit që kemi jetuar. Flasshqip si media e re online ka shumë falenderime për këtë fundviti. Ne u jemi mirënjohës gjithë bashkëpunëtorëve tanë që përmes shkrimeve, opinioneve, krijimeve të tyre janë bërë pjesë e rëndësishme e portalit të shqiptarëve të Kanadasë. Gjithashtu falenderojmë ndjekësit dhe lexuesit tanë të përhershëm, të cilët përmes komenteve dhe reagimeve të tyre na nxisin të përmirësohemi çdo ditë e në vazhdim.
FlasShqip ju uron përzemërsisht, Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2019!
I paçi shtëpitë dhe zemrat plot me mirësi!