Kolumnist

Çfarë e pengon Majkon të marrë vendim?

Nga: FlasShqip

Pritej që në Nëntor të vitit të kaluar të mblidhej Samiti i Dytë i Diasporës, ndërsa në Ditën Kombëtare të Diasporës më 18 Dhjetor 2018 të shpallej Këshilli Koordinativ i Diasporës. As njëra, as tjetra nuk ndodhi. Këshilli nuk u zgjodh, kurse Samiti u shty për në datat 28 shkurt-2 mars të vitit 2019. Dhe kështu Urdhri nr. 96, datë 16.7.2018, sipas të cilit urdhëroheshin strukturat për organizimin e Samitit në nëntor 2018 doli nul, ndërsa ligji u shkel pakëz.

Por nuk mbaron me kaq…

Pritej që në fund të gushtit 2018, siç parashikohej në pikën 15 të Vendimit 340 dt. 06.06.2018, të mbyllej procesi i dorëzimit të propozimeve nga organizatat e diasporës për anëtarët e Këshillit Koordinativ të Diasporës.

As kjo nuk ndodhi. Procesi qenkërka i hapur, pasi Australia nuk ka dorëzuar asnjë propozim ende-na njofton përmes email-it zyra e shtypit pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën.

Pra, i bie që diaspora në Australi e mbaka procesin peng apo jo? Por ministri Majko duhet ta dijë se e ka një zgjidhje në katë rast, të cilit vetë ligji ia dikton. Pika 7 e vendimit nr 340/2018 thotë se “Për raste të veçanta ose në mungesë të kandidaturave të propozuara, propozimi per zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës (jo më shumë se 3 propozime) mund të bëhet drejtpërdrejt nga ministri përgjegjës për diasporën”. Kështu që Australia, mund të trajtohet nga Majko si një rast i veçantë dhe të mos shfaqet si pengesë në çështjen e zgjatjes së vendimit të përzgjedhjes së kandidatëve të Këshillit.

Gjithashtu nëse do t’i referohemi të njëjtit vendim, kuptojmë se Ministri i Diasporës duhet t’ia paraqesë 15 anëtarët e përzgjedhur prej tij Këshillit të Ministrave (lexo Edi Ramës) jo më vonë se 30 ditë para mbledhjes së Samitit. Me një llogari të thjeshtë, arrijmë në konkluzionin se deri në datën 28 janar 2019, Ministri Majko duhet me patjetër të na bëjë me dije se cilët janë 15 anëtarët e përzgjedhur prej tij (Ramës).

Duhet theksuar se Majkon e pret një punë e vështirë deri në 28 janar. Ai duhet të shqyrtojë 109 kandidatët e propozuar nga diaspora shqiptare kudo në botë. Nuk dihet se sa prej këtyre janë femra dhe sa meshkuj. Konkretisht janë 77 propozime nga Europa, 19 nga Kanadaja, 5 nga SHBA, 4 nga Britania dhe 4 nga Turqia-mësojmë nga njoftimi i zyrës së shtypit të Ministrit të Shtetit për Diasporësn.

Ndërkohë, gjithçka tjetër mbetet për t’u mësuar në fund të janarit, ose shkurtit, ose marsit…

©FlasShqip