Kolumnist

Dashnorët e mërzitshëm dhe të rrejshëm të Amerikës

Nga: Enver Robelli

Në Prishtinë dhe në Tiranë ka shpërthyer një dashuri e paparë ndaj Amerikës. 24 orë pandërprerë sundimtarë, bajraktarë e opozitarë tregojnë sa shumë e duan Amerikën. Cilën Amerikë e duan këta? Natyrisht jo atë Amerikë të sundimit të ligjit, por të xhunglës.

Në gjuhën angleze (dhe gjuhë të tjera që huazojnë nga anglishtja) njihet fjala «Stalker». Çka është «Stalkeri»? Një burrë që nuk e lë rehat një grua, duke i bërë presion, duke i dërguar mesazhe, duke i përcjellë lëvizjet e saj. Krejt këtë terror psikik «Stalkeri» në të shumtën e rasteve e bën për t’i shprehur dashurinë gruas, e cila nuk e honeps fare. Ka edhe raste të kundërta: gra të verbuara nga dashuria apo të shtyra nga ndonjë ndjenjë hakmarrëse gjejnë viktimën e tyre burrë dhe e terrorizojnë. Në shtetet perëndimore viktimat e «Stalkingut» mund t’i drejtohen policisë dhe të kërkojnë ndihmë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës këto ditë i ngjajnë një viktime të «Stalkingut» që ushtrohet nga ana e politikanëve shqiptarë. Sot dashuri i paskësh shpallur Amerikës vetë Lulzim Basha. Ambasada amerikane në Tiranë u prononcua kundër «djegies së mandateve» parlamentare, një kërcënim që pasoi pas demonstratës opozitare të së shtunës, e cila nuk e arriti efektin e pritur. Basha citohet të këtë thënë: «Nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë, por dua t’ua them qartë dhe shkoqur se për mua dhe PD nuk ka frymëzim më të madh se SHBA dhe demokracia amerikane. Në veçanti veçoj Presidentin Lincoln dhe dua ta citoj: Se ky komb nën zot do ketë lindje të re, qeverisja e njerëzve nga njerëzit për njerëzit nuk do të zhduket nga ky dhe». Amerika si frymëzim për Lulzim Bashën? Cila Amerikë? Ajo e ligjeve apo ajo e xhunglës? A kemi të bëjmë me atë Bashën që nuk ka biografi politike pa skandale? Sidoqoftë, ja edhe një dashnor i Amerikës.

Një dashnor i këtij kalibri si i Bashës po defilon nëpër mediat kosovare prej ditësh. Emri i tij: Kadri Veseli. I paguximshëm për të mbajtur qëndrim të qartë në lidhje me idenë e shefit të tij për ndryshimin e kufijve, i gatshëm për të dhënë deklarata të dykuptimshme, shpesh pa sens gjuhësor, Veseli po përpiqet të pozicionohet si dashnor i madh i Amerikës, natyrisht duke ia hedhur Ramush Haradinajt, i cili me kokëfortësi po refuzon heqjen e tarifave ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe (dhe boshnjake). «Nuk mbrohet Kosova dhe sovraniteti i saj duke injoruar Amerikën dhe interesat e saj strategjike në rajon», thotë Veseli. Për të tingëlluar më bindshëm ai shton: «Ju flas si kryetar i Kuvendit të Kosovës, si njeri që kam komunikim permanent me instancat e larta të politikës amerikane». Kështu flet politikani që as në Lutjet e Mëngjesit në Washington nuk ishte. Pas tendencës për të goditur Ramush Haradinajn fshihet dëshpërimi i krerëve të PDK-së se nuk po arrijnë ta përdorin kryeministrin si «idiot të dobishëm» për planet e tyre për rrudhjen e Kosovës.   Përballë kësaj dashurie të hatashme për Amerikën, assesi nuk dëshiron të mbetet prapa as Haradinaj. Edhe ky me fjalë e me vullnet të çeliktë ka thënë se e do Amerikën shumë.

Është lodhur Amerika nga kjo dashuri e politikanëve shqiptarë. Sepse kjo nuk është kurrfarë dashurie. Sepse Amerikën e sundimit të ligjit nuk mund ta duan ata që keqpërdorin ligje, ata që nuk i njohin shumicën e gati 90 zëvendësministrave dhe mezi i numërojnë mbi 20 ministrat e kabinetit. Si mund të flasësh për dashuri për Amerikën e të rritësh numrin e të punësuarve në zyrën e kryeministrit për 32 persona? Sikur nuk mjaftuan brigadat e zëvendësministrave, ministrave e këshilltarëve, andaj këtyre iu shtuan edhe koordinatorët nacionalë. Poste imagjinare për të harxhuar buxhetin. Mos të flasim për nepotizmin e paparë, për punësimin e militantëve në ndërmarrjet publike dhe marrëzi të tjera. Megjithatë, këta e duan Amerikën. Janë dashnorë të mërzitshëm. Janë «Stalkerë». Për dashnorë të tillë nuk ka nevojë askush, as Amerika. Si mund ta duan Amerikën politikanë që lejojnë fryrjen e listave të veteranëve për arsye elektorale dhe prokurorin që përpilon aktakuzë kundër vjedhësve potencialë e quajnë «hajn» e «pishpirik»?

Burimi: dialogplus.ch

Tagged under Enver Robelli