Socialistëve u duhet një lider tjetër dhe Shqipërisë kryeministër i ri
- Nga: Kostandin Ristani
Thirrje drejtuar mazhorancës, opozitës, emisarëve diplomatikë në Tiranë dhe diasporës shqiptare
Unë jam një mbështetës i rreptë dhe i paepur i sundimit të rregullit ligjor edhe pse jam i sigurtë dhe i vetëdijshëm që disa ligje në Shqipëri janë katërcipërisht të papërshtatshëm dhe disa prej tyre nuk zbatohen aspak. Jam i vetëdijshëm dhe i mirëinformuar gjithashtu që autoritetet politike, ligjvenësit, forcat e zbatimit te ligjit, sistemi gjyqsor dhe administrata qendrore shpërdoron në vazhdimësi e rregullisht zbatimin e ligjit.
Unë besoj pa lëkundje se elita politike shqiptare post-moniste është pjellë dhe pasardhëse e kuadrove dhe militantëve të rregjimit punist të përmbysur. Por nga ana tjetër, unë nuk mund të pajtohem, të mbështes dhe të përshëndes këtë gjëndje të parregullsisë ligjore, dështimit dhe anarkisë qeverisëse që po manifestohet në Shqipëri në pjesët më kyçe të ekzistencës së sistemit shtetëror:
1) Mungesa e sistemit gjyqësor si pasojë e Vettingut pa mend e hipokrit që u imponua nga paaftësia apo mos-përkushtimi/mos-synimi i sinqertë i diplomatëve, këshilltarëve dhe ndihmësve të huaj me veprimtari në Shqipëri;
2) Një Parlament që nuk funksionon;
3) Një President me veprimtari politiko-ekonomike të dyshuar e të kompromentuar dhe i përgojuar deri në pabesueshmëri figure;
4) Një udhëhëqës opozite me një paaftësi qesharake i manipuluar si një argëtues cirku në duart e një ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri, që kokëfortesia dhe lakmia e tij për pushtet e çoi Shqipërinë në një luftë civile të përgjakshme;
5) Dhe së fundi, një Kryeminister paranojak që jeton me delirin e kënaqësisë vetjake të madhështisë i të të qenurit krejtësisht i pagabueshëm dhe që emëron në qeveri e në administratën qendrore individë me biografi e besueshmëri të dyshuar e të përgojuar me plot konflikte interesi.
Për gjendjen e tanishme, zgjidhja e vetme që unë propozoj e mbështes me forcë besuese është që Partia Socialiste - në rast se ka pak gjak atdhetarie e dinjitet partiak - në mënyre urgjente dhe të prerë të shkarkojë kryetarin e saj dhe si pasojë Kryeministrin e vendit dhe të bëjë menjëherë zgjedhjet sipas statutit për një kryetar të ri, të besueshëm e të panjollosur që kalon gjithashtu kontrollin e pastërtisë biografike e të besueshmërise individualo-familjare dhe etiko-konfliktuale sipas normave e modelit vetëm Kanadez apo Britanik.
Çdo model tjetër sipas Vettingut hipokrit e tallës do të sjellë në krye të qeverisë shqiptare një “crook”, d.m.th. do krijojë një mundësi infiltrimi për në krye te Qeverisë Shqiptare të një “mashtruesi” të llustruar e të rekrutuar nga të huajt.
PS ka ligjërisht shumicën në Parlament (në rrethanat e krijuara nuk ka rëndësi të kontestohet se si kjo shumicë është fituar perderisa është verifikuar e aprovuar nga instanca përkatëse e parashikuar me ligj) dhe ka të drejtën ligjore për të qeverisur vendin deri në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare. Kjo i shërben gjithashtu edhe interesit më të lartë të Shtetit Shqiptar: vazhdimësia e qeverisjes pa anarki e konflikte të thella sociale të pariparueshme e të pakthyeshme me pasoja të rënda kombëtare.
Ky është rregulli i sundimit ligjor sipas modelit më të avancuar të arritur deri më sot në qeverisje, ai Anglo-Saxon. Ky model është i provuar në mjaft vende rreth e rrotull Globit dhe që qeveris në shtetet më të avancuara demokratike në botën e qyteteruar. Numri i tyre e tejkalon numurin e gishtave të duarve.
Grupimet politike opozitare duhet të ndalojnë menjëherë veprimet dhe veprimtaritë qe nuk mbështeten as nga ligji dhe as nga arsyeja e qëllimi i funksionit qeverisës, që propozojnë kushte absurde, ndonjë edhe kriminal apo utopik, që nënkuptojnë vetë-interes meskin e përfitues dhe aspak atdhetar, që çojnë në dështim qeverisës dhe anarki të përgjithëshme.
Opozitarë, kërkoni me ngulm e me përkushtim nga PS, në tempullin e fjalës - në Parlament - që të zëvendësoje Kryeministrin dhe të propozojë menjëherë një qeveri të re. Vetëm në këtë menyrë ju do të tregoni me vepra dhe me veprimtari që opozita e do Shqipërinë, vendin e saj, do rregullsinë e sundimit të ligjit dhe angazhohet në një loje politike besnike ku vetëm rregulli ligjor sundon dhe jo rrëmuja e anarkia. Përndryshe ju po luani kundër interesave kombëtare e mbarëshqiptare duke vendosur në rradhë të parë interest tuaja personale, meskine, mediokre që i shërbejnë vetëm interesave keqdashëse të të huajve. Nuk ka aspak nevojë që të konsultoni, të këshilloheni dhe të përkraheni nga emisarët e huaj apo edhe shtetet e huaj për të qenë atdhetarë në rradhë të parë. Çfarë elite politike jeni ju kur motoja juaj nuk eshte: Shqipëria mbi të gjitha?
Emisarë të huaj diplomatikë, këshillues dhe mbështetës që veproni në Shqipëri apo për Shqiperinë: Ju lutem mos ndërhyni në mënyre hipokrite në politikën shqiptare me “te shtëna sporadike” dhe këshillime të nivelit shumë të ulët profesionalo-politik e mediokër që i shërben vetëm e vetëm axhendave tuaja personale. Ju lutem përkrahni, ndihmoni e mbështetesni, qoftë edhe financiarisht, që në elitën politike shqiptare të përfshihen individë të panjollosur që kalojnë në menyrë të plotë, të gjithanëshme pa hije e mëdyshje kërkesat e pastërtisë biografike dhe besueshmërisë individualo-familjare dhe etiko-konfliktuale me të cilat ju verifikoni udheheqësit tuaj politikë dhe anëtarët e administratës tuaj shtetërore qeverisëse, ligjvënëse e gjyqësore.
Diasporës shqiptare: Ju lutem mos luani lojën e interesave keqdashëse të të huajve duke u vetë-inkuadruar me partitë politike të Shqiperisë. Sipas këndveshtrimit tim kjo është papjekuri fëmijnore, përçarëse dhe aspak atdhetare. Ne nuk na duhet se cila apo cilat parti qeverisin Shqipërinë. Neve vetëm na duhet dhe na intereson që Shqiperia të ketë një shtet të shëndoshë, të fortë demokratik, të besueshëm dhe me besueshmërinë e një sistemi gjyqësor shembullor, një administratë qendrore e shtetërore krejt të pavarur nga lodrat e brendshme politike dhe të imunizuar nga synimet e huaja ndërhyrëse që nuk janë të shëndetëshme dhe të përshtatëshme për shoqerinë shqiptare.
Ottawa, 24 Shkurt 2019











