Kolumnist

Sekretet e jetës së Stephen Hawking

Nga: Çapajev Gjokutaj

Vdiq Stephen Hawking, një ndër shkencëtarët më të mëdhenj të shekullit. Njëkohësisht edhe një nga personazhet më të çuditshme, që ka njohur historia.

Një mendje gjeniale, që udhëtoi hapësirave të pamata të gjithësisë, për të shpjeguar misteret e saj. Dhe e bënte këtë ndërkohë që fati e kishte ngujuar në një karrocë invalidi, të paaftë të lëvizte.

Ishte kozmolog dhe kontribues në disiplina tejet të ngushta të fizikës, ku lexues ke kolegët e paktë, shpërndarë në gjithë botën.

E megjithatë Hawking pati qindramilionë lexues e spektatorë. Aq të shumtë ishin, sa do t’ia kishin zili edhe shumë shkrimtarë të sukseshëm.

Çudi më vete përbënte fakti se, ky komunikim në përmasa botërore, realizohej nga një person që fati e kishte privuar të fliste. Mendimet e tij nuk arrinin të ktheheshin në fjalë me ndihmën e zërit. Një kompjuter ndiqte lëvizjet e një muskuli të faqes dhe artikulonte ato që mendonte gjeniu.

Kur u sëmur fillimisht nga një sklerozë e neuroneve motorike, mjekët i dhanë veç dy vjet jetë. Jetoi gati gjysëm shekulli përtej parashikimit. Dhe më e rëndësishmja, nuk ishte lëngatë invalidi, por jetë e mbushur me punë, përpjekje dhe arritje të rralla.

Ato që zbuloi në lemin e shkencës do t’i shërbejnë gjatë njerëzimit. Por po kaq të vyera janë mësimet etike që përcolli me jetën e vet: ‘Mos e le shpirtin të sakatoset. Sado e keqe të duket jeta, gjithnjë përmban diçka që mund ta bësh, që mund t’ia dalësh. Ndaj, sa kohë ka jetë, ka edhe shpresë.’

Parë kështu, çudia Stephen Hawking, duket sa e rrallë e personale, aq edhe universale. Në esencë imazhi i tij publik vjen e derdhet në disa modele kulturore të përpunuara në shekuj: gishtoja, qerozi, hirushja e të tjerë personazhe përrallash që ia dalin me sukses, përkundër pengesave që u imponon fati, shëndeti, rangu shoqëror etj.

Duket se Hawking do të vazhdojë të udhëtojë në jetën e njerëzimit kaluar mbi dy shina: zbulimet shkencore dhe mësimet etike.

Tek e dyta vendin kryesor e ze imazhi i fatkeqit që kacaviret rrëpirave të ekzistencës dhe ia del me sukses të rrallë, ndaj frymëzon e do të frymëzojë të pamundurit, të dobëtit, të margjinalizuarit, kudo që janë.

Por Hawking la edhe disa parashikime shqetësuese për të ardhmen e njerëzimit, shqetësime që lidhen me ngrohjen globale, ekologjinë, kërcënimin bërthamor, kontaktet me jetë të largëta etj. etj.

Bota bën mirë që t’i shohë seriozisht edhe këto porosi, jo si përralla me qeros, hirushe a gishto. Ndryshe nga realitet mund të zhbëhej në përrallë. Vetëm se do ishte një përrallë e mjerë: s’do kishte kush ta dëgjonte...

( Nga cikli ‘Grunarët e leximeve’ )