Kolumnist

Letrat si ilaç për kryeministrin e sëmurë - Nga Jeta Dedja

Gazeta e Shoqatës Mjekësore Amerikane (vol 281, nr 14), para disa vitesh publikoi një studim të Joshua Smyth mbi efektet e të shkruarit në gjendjen fizike tek pacientët që vuanin nga Astma dhe Artriti reumatik.

107 pacientë që morën pjesë në këtë studim, shkruan 3 ditë rresht nga një letër. 70 prej tyre shkruan mbi ngjarje stresuese të jetës dhe të tjerët për çështje neutrale.

Pas ushtrimit të të shkruarit, u vu re që pacientët që shkruan për ngjarjet stresante patën përmirësime në shëndetin e tyre. Kështu që studiuesit nxorën konkluzionin se procesi i të shkruarit mbi çështjet shqetësuese ndihmon në shërimin e pacientit.

Ky studim më kujtoi kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili ndryshe nga pacientët e Smithit ka shkruar më tepër se 3 letra. Sigurisht që në letrat e tij nuk ka folur për çështje neutrale e as se çfarë do të hajë për drekë, por ka shkruar për një ngjarje madhore siç është kriza politike e vendit, protestat e opozitës që në këtë rast mund të cilësohen ngjarje traumatike, stresuese, ngacmuese, gjumëprishëse të kryeministrit të vendit.

Përmes gjuhës së “dashurisë” dhe ironisë së shplarë prej viteve të konsumit në jetën publike, Edi Rama i drejtohet Lulzim Bashës si Tatiana e përvëluar Onieginit. Vetëm se Tatiana u mjaftua me një letër, ndërsa përdëllimtari ynë, jo për Lulzimin, por për atdheun nuk po ndalet.

Më duhet t’i them kryeministrit se të shkruarit kompulsiv i letrave për të njëjtën temë (6 copë deri më sot) në vend që t’i sjellë benefitet që studiuesit prej 10 vitesh i kanë vërtetuar, mund t’i shkaktojë dëme në shëndetin fizik si dhe atë mendor, sidomos nëse këto letra Kryeministri i shkruan vetëm në zyrën e tij, pa konsulencë psikologjike ose nën këshillat e dobëta të zanatçinjve të tepsisë.

Letrat e kryeministrit shqiptar janë kthyer në objekt talljeje mes qytetarëve që guxojnë të flasin. Ata numërojnë dhe presin ushtrimin e radhës të terapisë së të shkruarit që kryeministri i vendit me krenari e publikon duke i treguar gjithë botës se është rëndë, po shumë rëndë…

*Më poshtë lexoni letrën e padërguar të Edi Ramës për Lulëzim Bashën sipas modelit pushkinian.

 

I dashur Luli,

Po marr guximin që t’ju shkruaj

Për të gjashtën herë, dhe pa ndalim

Aman o shok, ç’kërkoni më,

pushtetin doni a veç shpirtin tim?

 

E di, se është e drejta juaj

Të protestoni e të më tallni papushim

Po ju e shihni sa po vuaj për këtë vënd

Duroni pak sa ta mëkëmb

 

Më parë desha të rri qetë,

Të qepja çitjane veç doja

Por populli im më thërret

dhe unë nuk i lë me gishtin te goja

 

Ah Luli, sërish të vish pranë meje ëndërroj

Që t’ju dëgjoj e me ju të kuvendoj,

T’ju them një fjalë dhe pastaj

Në media dil ti, unë nuk të mbaj,

 

Veç gjer sa t’vish e t’më takosh

Bëj shopping dhe ndërro kravatë

provo para pasqyrës si do më përqafosh

se krahët e mi do t’i hap kanat më kanat

 

Me ty në opozitë është kaq fat,

Kaq shumë turbullim veç ti më jep

Se ti Luli im

je afsh i shpirtit tim në pushtet

 

Një miku tjetër mund t’i bëhesha mik

Dhe shok besnik sot e përjetë

Por, jo…jo askujt në jetë

Nuk do t’i falja kaq dashuri!

 

Por këto protestat po me çmendin

Më lodhe mua dhe policinë

Njerëz plot në rrugë rendin

A je ti ende engjëlli im ??

 

Ma hiq tani këtë dyshim

Mbylli protestat dhe eja tek unë

Për zemrën time mos ji një zhgënjim

 

Më qan me lot shpirt i ngratë

E mbrojtje kërkoj e ulëras

Lexoje dhe letrën e gjashtë

Aman se ndihem vetëm, s’kam me kë flas

 

Askush nuk mund të më kuptojë

Mendja fillon të më lëshojë

Në heshtje duhet të humbas

Letrën e shtatë nuk po e plas

 

Mbarova! S’mund ta rilexoj…

Po vdes nga frika i turpëruar

Po nderit tuaj i besoj

Me plot guxim duke shpresuar

I Yti Edi Rama

 

(P.S ) Bazuar në vija të përgjithshme në letrën e famshme të Tatianës drejtuar Onieginit sipas romanit në vargje "Eugjen Onjegini" nga Aleksandër Pushkin.

Jeta Dedja, Maj 2019

©FlasShqip