Kolumnist

Gjyqësori i frikësuar nga pushteti - Nga Gavrosh Levonja

Drejtësia e pretenduar e cila pritet të fillojë me përfundimin e reformës në drejtësi duket që tani e kompromentuar. Mjafton të dëgjosh Taulant Ballën dhe Erion Braçen, pa përmendur pesha të tjera të lehta të Rilindjes, kur paralajmërojnë futjen në burg të Berishës, të Metës, Bashës e kujtdo tjetër nga radhët e opozitës.

Për këtë u referohen çështjeve të tilla si “21 janari”, “CEZ-i”, “Rruga e Kombit”, për të cilat premtojnë poshtë e lart se do të rihetohen e rigjykohen. Pra, shpata e “drejtësisë së re” parashikohet të bjerë vetëm mbi kokat e opozitës.

Që opozita ka dalë gjithmonë e humbur në çdo proces gjyqësor kur është akuzuar nga pushteti kjo ka karakterizuar gjithmonë raportet e gjyqësorit me politikën në këto 30 vite. Shembulli më konkret në këtë aspekt është vetë Taulant Balla, i dënuar me gjoba si shpifës ordiner, por me të ardhur në pushtet, më në fund u pa të dilte fitues. Po të jetë puna që drejtësia të përdoret për të goditur vetëm opozitën, këtë e ka realizuar Sali Berisha duke arrestuar, “gjykuar” e dënuar Fatos Nanon, pa pasur fare nevojë për “reformë në drejtësi”, madje dhe me sugjerimin e ndonjë ndërkombëtari.

Në qoftë se kërkohet t’i jepet fund pandëshkueshmërisë, dukurive si korrupsioni e lidhjet e politikës me krimin, kjo fillon nga ata që janë në pushtet. Eshtë naivitet të besosh tek suksesi i “reformës” në drejtësi kur shikon që nuk është formuluar ende ndonjë akuzë për abuzimet në shuma marramendëse dhe falsifikimet në rastin e tenderit famëkeq të unazës së re, për koncensionet e PPP-të e dyshimta. Dozat e pesimizmit nuk ka si të mos shtohen kur, në rastin e përgjimeve të “Bild-it”, shikon që organi i akuzës në vend që të merret me protagonistët e këtyre përgjimeve dhe të shqetësohej se si mbetën nëpër sirtare dosjet e tyre për një kohë të gjatë, nxjerr në plan të parë atë se “kush i nxorri përgjimet në Pazar, kush i a dha gjermanit…”

Nëse drejtësia më së pari do të vepronte mbi ata që abuzojnë kur janë në pushtet, atëhere do të kishte gjithë të drejtën e zotit të merrej dhe me mëkatet e ish-ëve të dikurshëm. Frika apo hezitimi i njerëzve të gjyqësorit për t’u marrë me shkelësit e ligjit të veshur me pushtet është dhe shkaku kryesor i pandëshkueshmërisë i zyrtarëve të lartë.