Kolumnist

30 qershori, ditë për t'u çliruar nga Rilindja - Nga Arben Vata

Për herë të parë pas thuajse 30 vjetësh, shqiptarët do të votojnë për një parti të vetme, Rilindjen, apo siç akoma shkruhet zyrtarisht, Partinë Socialiste.

Në kushtet kur opozita ka djegur mandatet në parlament. kur Presidenti ka anuluar dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve, dhe populli është masivisht në rrugë duke kërkuar mosbajtjen e votimeve për pushtetin lokal pa një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, zhvillimi i zgjedhjeve të dielën e 30 qershorit do të ishte turp së pari për vetë socialistët si edhe për çdo shqiptar tjetër që mund t'i drejtohet kutive të votimit.

Për socialistët do të thosha vetëm diçka: Mos mendoni vetëm për një moment se e gjitha bëhet për shkak të Berishës, Bashës, Metës apo kujtdo tjetër që propagandon qeveria. Mendoni vetëm këtë: A janë Rama, Balla, Gjiknuri e kallamkusuri socialistë të vërtetë?

A mos vallë këta njerëz në qeveri dhe vartësit, e kanë marrë peng PS dhe transformuar vlerat e saj? A është kjo Rilindje, PS që ju keni dashur gjithmonë?

Nëse jo, mos dilni në votime dhe ndikoni që sa më shpejt të hiqni Ramën nga kreu i PS e të zgjidhni aty një socialist të vërtetë. Një njeri që i dhimbset jo vetëm, Shqipëria por edhe PS.

 Nëse po, nëse vërtetë mendoni se Rama u përfaqëson ju, dhe jo oligarkët, atëherë votoni masivisht dhe ta gëzoni diktatorin, Mbretin, Kryerilindasin, apo si të doni vetë quajeni. Vetëm se do të jetë vonë kur të kuptoni se me votën tuaj, keni nenshkruar izolimin; atë me të cilin Rama kërcënon të gjithë shqiptarët.

Kurse për ata që nuk mbështesin as qeverinë, por nuk e duan as opozitën, dua t’i ftoj të mendojnë nëse janë dakord që vendi të drejtohet jo më nga Byroja Politike, por nga pasardhësit e tyre të korruptuar?!

Për popullin opozitar që përditë e më shumë po mbush sheshet, çdo shqiptar uron të realizojë aspiratën për largimin e klikës nga pushteti dhe të shpresojë për zgjedhje të lira e të ndershme. Protestat e opozitës, ndryshe nga sa dëshiron qeveria, janë e duhet të jenë pa dhunë. Qeveria nga ana e saj, urojmë të gjithë, të mos helmojë njerëzit me gaz e të mos provokojë qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike.