Kolumnist

30 Qershori, dita që shpall betejën mes lirisë dhe robërisë - Nga Enton Abilekaj

Deri në 06. 43, 17 minuta para hapjes së kutive, 535 votues shqiptarë janë regjistruar në Facebook. Dita më e hidhur për pluralizmin që nga 1991, nuk mund të mos fillonte me këtë shaka të hidhur.

Ai që na solli në këtë ditë, ka një plan të qartë, por ndoshta ata që po i shkojnë pas duhet të reflektojnë edhe një herë sot dhe mos të mendojnë për fatin e liderit të tyre, për besimin politik, për fanatizmin konfliktual që na ka edukuar kjo klasë politike për 30 vjet.

Të mendojnë se pas 30 Qershorit, zgjidhja bëhet më e vështirë, pothuajse e pamundur. Edhe nëse Rama, ashtu si thoshte Veliaj, e fton Bashën në 1 korrik, edhe sikur kryetari i PD të pranojë, nuk mund të ketë më zgjedhje të barabarta me 61 bashki të kontrolluara nga 1 parti. Për më tepër, ata njerëz që janë akuzuar apo kanë dalë në përgjime si organizatorë të deformimit të rezultatit, sot do gradohen kryebashiakë, ata që kanë precedentë penalë rikonfirmohen, të tjerë me cv kriminale jo aq të pasur fillojnë karrierën në këshillat bashkiakë 100 për qind të PS.

Është praktikisht më keq se situata e 1991, kur PD hyri në zgjedhje me gjithë pushtetin e kontrolluar nga Partia e Punës. Pas 30 qershorit, një njeri i vetëm, do të kontrollojë çdo qelizë të shtetit, pushteti totalitar që mezi u rrezua në 1990, rikthehet sërish.

Edi Rama, pas kësaj, nuk mund të jetë më pjesë e zgjidhjes. Ai është vetëshpallur problemi më i madh i pluralizmit. Nuk mund të thuhet akoma problemi më i madh i shqiptarëve, sepse shumë shqiptarë e duan këtë që po ndodh sot, shumë e deshën atë që ndodhi në 2 dhjetor 1945, shumë e deshën atë që ndodhi në 26 maj 1996, shumë shqiptarë, për fat të keq e duan diktaturën kur atë e bën lideri i tyre.

Ajo që na kërcënon, nuk është partiake, prandaj, sado militant fanatik të jesh, është momenti të mendohet për atë që do të ndodhë më pas, kur gjithë pushteti të jetë i socialistëve dhe zgjedhjet e barabarta të jenë të pamundura. Konflikti mund të jetë i pashmangshëm, përplasja mes shqiptarëve dhe rikthimi në vitet e errëta që nuk janë aq pak sa të shkruhen, mund të bëhet realitet.

Ata që mendojnë sot se këtë situatë e shkaktoi opozita, për të marrë pushtetin në situatë të jashtëzakonshme dhe duhet të votojnë për t'i dhënë një mësim, nuk bëjnë asnjë faj. Deri në momentin që votojnë vërtet. Aty institucionalizojnë një krizë të madhe, një betejë pa limite për liri kundër kërcënimit të diktaturës, një luftë të gjatë, që, pavarësisht se drejtohet kundër një njeriu të vetëm që po merr në qafë një vend për pushtetin dhe paratë e tij, do të ketë pasoja mbi gjithë vendin, mbi vetë ata që sot votojnë.

Këto nuk janë zgjedhje, ky është një referendum kundër pluralizmit, është një thirrje për luftë mes shqiptarëve, është një rreshtim në përplasjen e pashmangshme mes lirisë dhe robërisë.