Kolumnist

Maskarallëku zyrtar i Ministrit të Diasporës Majko - Nga Dr. Ardian Muhaj

Në një lajm të Ministrit të Shtetit për Diasporën të datës 25 Korrik, Z. Majko, ish-kryeministër i Shqipërise kapardiset me foton e ditës, sipas vetë përcaktimit të tij. Ajo foto e ish-kryeministrit të Shqipërisë, që demek e ka në zemër Kosovën, ilustronte një takim që kishte patur me “Shahin Omarov, Konsull Nderi për Shqipërinë në Ukrainë prej vitit 2015 dhe Robert Mobili, kryetar i komunitetit shqiptar Ortodoks Udi në Azerbajxhan”. Për virgjërinë e takimit na garanton vetë ish-kryeministri kur pohon se “kjo është hera e parë që një përfaqësues i komunitetit shqiptar të Azerbajxhanit zhvillon një takim në institucion zyrtar shqiptar.”

Mirëpo kjo edhe mund të përkthehet ndryshe si: kjo është hera e parë që një përfaqësues i një katundi në Azerbajxhan gjen në Shqipëri një ministër aq budalla sa të arrijë të pritet në takim zyrtar në një institucion shqiptar. Ky është rasti tipik kur mund të thonim me plot gojë e të dëshironim me plot zemër që ish-kryeministrin ta kishim aq budallë sa mos me e dijë se çka flet. Pjesa tjetër e lajmit tregon se jo vetëm që nuk është budallë, por edhe di mirë se si duhet me folë e me e paraqitë mashtrimin shekullor.

Majko na infomon se “komuniteti Udi, një prej komuniteteve më të vjetra në Azerbajxhan, është pasardhës i fisit Udi, një prej 26 fiseve shqiptare që jetonin në Kaukaz, rreth shekullit V. Sot ata janë rreth 4 mijë banorë të vendosur në fshatin Nij, ku ende vazhdojnë të ruajnë gjuhën, fenë, kulturën dhe traditat e të parëve të tyre.” Statusi i Z. Majko është qëllimshëm, i kopsitur nga dikush që e njeh problemin mire, por që do ta përdorë për keq. Është një përzierje tipike toksike anakronizmash, e budallakizmash që për faktin se janë të tillë, nuk do me thënë se nuk i hyjnë në punë dikujt.

Përmendja e shek. V është e mirëmenduar, sepse dihet ekzistenca e Albanisë së Kaukazit në antikitet dhe shek. V përmendet si periudha e mbështetur nga dijetarët sllavë në të cilën një pjesë e albanëve, apo arbërve të Kaukazit, nisen të shpërngulen drejt Shqipërisë. (Pse direkt drejt Shqipërisë e jo ta zemë dikund rrotull nuk e shpjegojnë). Pra lajmi i Z. Majko, i kopsitur serbisht në domethënie, nuk nënkupton që shqiptarët të kenë shkuar atje, por që shqiptarët e sotëm nuk kanë lidhje me ilirët dhe kanë mbërritur në Shqipëri nga Kaukazi, natyrisht pas sllavëve. Por kryebudallallëku i paraqitur me shejtanllëk është përmendja e pseudofaktit se fisi Udi ishte një prej 26 fiseve shqiptare që jetonin në Kaukaz në shek. V?!

Tani dihet se në shekullin V, nuk kishte shqiptarë, sepse etnogjeneza shqiptare ndodh pas shekullit të shtatë, kur shembet perandoria romake dhe dynden popujt e ashtuquajtur barbarë. Por shekulli V përmendet me shejtanllëk për të qenë jo vetëm korrekt me kohën e lindjes së shqiptarëve, por madje edhe një hap më tej, duke i paraqitur si të lindur të paktën dy shekuj përpara kohe. Veçse kjo bujari kronologjike vjen e mbështjellur në një djallëzi gjeografike. Shqiptarët ishin të lindur edhe përpara se të shembej fuqia e Romës dhe të dyndeshin popujt nga lindja, por jo në trojet e sotme e as ato historike shqiptare, por në brigjet e Kaspikut, nën hijen e Kaukazit. 

Nuk ka asgjë të keqe të jesh alban kaukazi, azer, kinez, somalez apo apash amerike. Por, ka shumë të këqija nga rrena. Sidomos kur përmes paraqitjes së shtrembëruar të përkatësive të tilla e të ngjashme synohet justifikimi i krimeve e genocideve të ndodhura apo që po përgatiten e planifikohen në ndonjë qendër ballkanike gjeneruese genocidesh kundër shqiptarëve, atëherë budallallëqe të tilla zyrtare, shndërrohen në maskarallëqe zyrtare me pasoja jashtëshkencore. 

Një nga shpjegimet më të përhapura në Europë gjatë luftës në Kosovë dhe pas saj mbi shqiptarët e Kosovës, ishte një lajm i shpërndarë nga një gazetë ruse që kishte përshtatur narrativën burmeze mbi rohingjat dhe pohonte se shqiptarët në Kosovë janë emigrantë të pas viteve 1960. Kështu sapo hapje gojën për të shpjeguar çështjen e Kosovës, bashkëbiseduesi europian e kishte mësuar përmendësh përrallën ruse, dhe niste e tregonte se duke filluar nga vitet 1960, gratë nga Shqipëria për shkak të varfërisë në Shqipëri dhe mungesës së kushteve, kapërcenin kufirin dhe shkonin të lindnin në Jugosllavi. Përfundimi i përrallës ishte i thjeshtë, por genocidndjellës e genocidjustifikues: gratë që lindnin fëmijët e tyre në Jugosllavi nuk ktheheshin më në Shqipëri dhe kështu për 20-30 vite Kosova u popullua me shqiptarë?!

Për këtë arsye z. Majko duket se bën sikur nuk di që e mban me krenari atë lajm idiot në faqen zyrtare të një ministrie të shtetit shqiptar. Madje, do të duhej të jepte edhe shpjegime për arsyen e kësaj broçkulle aspak shkencore por shumë politike.