Kolumnist

The British Trump - Nga Eric Margolis

“Trumpi anglez” po e quajnë kryeministrin e ri të Britanisë, Boris Johnson. Krahasimi është i thjeshtë, nisur nga stili i tyre konfrontues dhe i çuditshëm, flokët e verdhë, politikat tribale dhe ksenofobike.  Por ata nuk janë njëlloj. Johnson është një produkt i mirëfilltë i institucioneve më të mira të edukimit në Britani, Eton dhe Oxford, njeri i cili minimizon erudicionin dhe rrënjët e klasës së lartë shoqërore prej nga vjen. Trump është krejt e kundërta. Por të dy janë argëtues të përkryer, gjë që është thelbësore në politikën e sotme me orientim televiziv.

Trump-it dhe Johnson-it ua lejon statura politike të veprojnë në mënyrë të egër dhe të thonë gjëra tabu për të cilat politikanët e tjerë do të flakeshin nga skena. Javën e kaluar, në një kërcënim zor të vërejtur nga mediat amerikane, Trump iu mburr liderit të Pakistanit, Imran Khan, se ai po të donte mund të vriste dhjetë milion njerëz në Afganistan dhe t’i jepte fund luftës 18-vjeçare atje. Mediat sahanlëpirëse amerikane mezi e vunë re këtë kërcënim-gjenocid nga një lider, kontrolli i të cilit mbi realitetin duket se po dobësohet.

Etja për famë e Boris Johnson është baza e tij e flaktë për të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian përndryshe Brexit. Ai zotohet të dalë nga Bashkimi edhe pse pa një marrëveshje që do të lehtësonte pasojat në ekonominë e Britanisë, e cila rreth gjysmën e biznesit të saj të eksportit e ka me BE. Pas Brexit, shumica e eksporteve të Britanisë do t’u nënshtrohen taksave dhe tarifave të reja të BE. Bizneset britanike, jo pa çudi janë në panik. Në porte pritet kaos. Mbi të gjitha, Brexit kërcënon ta bëjë lëmsh Britaninë. Por anglezët janë me nam për t’u ngatërruar në kohë të vështira. Për shumë Britanikë pro-Brexit, kaosi tregtar është një çmim që ia vlen të paguhet për t'i shpëtuar rregullave të BE-së mbi lëvizjen e lirë të njerëzve, Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe “burokratët e mallkuar” në Bruksel.

Britanikët nuk do të jenë kurrë skllevër, as të Francës dhe as të burokratëve të BE! Gjithçka shumë argëtuese! Vetëm se Brexit do ta shndërrojë Britaninë nga një fuqi evropiane e nivelit të mesëm në një shtojcë të vetmuar e të izoluar të Shteteve të Bashkuara që merr urdhra nga Donald Trump, një monark shumë më pak i qëndrueshëm sesa i çmenduri hera-herës mbreti George III.

Brexit do ta detyrojë Britaninë të bashkohet me një pakt tregtar të fuqishëm me SH.B.A. të cilat do të shohin përmbysjen e mëtejshme të industrisë dhe bujqësisë britanike. Të dobëta si kurrë më pare, forcat ushtarake britanike, ende një nga më të fuqishmet e Evropës, do të bëhen ndihmëse të forcave amerikane në luftërat e pafundme imperiale të Amerikës - disi si Gurkhët e Nepalit që i kanë shërbyer kaq gjatë Kurorës Britanike.

Irlandezët e padisiplinuar do hakmerren ndaj Britanikëve për shekujt e shfrytëzimit dhe dhunës. Askush nuk duket se ka një përgjigje se çfarë do bëhet në lidhje me "kufirin e butë" të Irlandës me Mbretërinë e Bashkuar ose dëshirën e shumicës së irlandezëve, dhe tani skocezëve, të mbeten pjesë e Bashkimit Evropian. Thirrjet e stilit Trump "të ngremë mure" nuk do ta zgjidhin këtë problem të mprehtë. Duke i përkeqësuar gjërat, Parlamenti i mekur Konservator mbahet në këmbë nga dhjetë deputetë të Irlandës Veriore, anëtarë të partisë pa rëndësi Unioniste Demokratike. Nëse ata zgjojnë irlandezin Brenda vetes, qeveria do të bjerë.

Nëse Britania vërtetë braktis BE-në, gjuha angleze do të fillojë të zbehet në kontinent, duke u zëvendësuar nga frëngjishtja dhe gjermanishtja. Britania luftoi për tre shekuj për të mos lejuar që francezët, pastaj gjermanët, të dominonin Evropën. Pas Brexit, që do të ndodhë në tetor, francezët dhe gjermanët më në fund do të dominojnë Evropën. BE do të bëhet një godinë e përbashkët franko-gjermane, vetëm nëse nuk anëtarësohet Rusia. Ndërkohë, britanikët do të kërcasin dhëmbët. Shfaqje e shëmtuar, çuna!

BE është mbështetur fuqishëm nga të rinjtë e Evropës dhe të Britanisë, të cilët kanë kundërshtuar me ashpërsi idiotët e vjetër, fshatarët dhe romantikët e Brexit, të cilët besojnë se Britania ende sundon valët. Pothuaj njëlloj me tipat demode që mbështesin Trump në SH.B.A. Shumë nga këta britanikë të vjetëruar ka gjasa të lumturohen po të bëhen anëtarë të një kolonie të re amerikane dhe të marrin urdhra nga Ati i Madh i Bardhë në Uashington. Por jo britanikët më modernë. Përveç, oportunistëve të politikës, natyrisht si Johnson dhe kabineti i tij.

Tani është koha për opozitën britanike, Partinë Laburiste të hyjë në betejë. Ajo ka qenë në pozicion mbrojtjeje nga akuzat e rreme të antisemitizmit. Ashtu si kandidati amerikan Bernie Sanders, lideri i laburistëve Jeremy Corbyn, është sabotuar nga të fuqishmit e partisë së tij. 

Copyright Eric S. Margolis 2019

E drejta e përkthimit dhe publikimit ©FlasShqip.ca