Kolumnist

Mesazh për 6 Tetorin e Kosovës: Votoni për ndryshim! - Nga Enver Robelli

Që nga koha e Platonit shoqëria e drejtë konsiderohet ideali më i lartë i teorisë politike. Që kjo të mos mbetet teori, të dielën gra e burra të Kosovës që kanë parë tmerre, kanë kaluar ditë të vështira dhe kanë përqafuar rrezet e lirisë, pastaj janë dëshpëruar nga pushtetet kosovëngrënëse – pra, të gjithë ju, gra e burra, që ia doni të mirën Kosovës: VOTONI PËR NDRYSHIM! Votoni për partitë e mëdha që deri tash ishin në opozitë.

Kosova ka nevojë urgjente për një kulturë të re demokratike, politike dhe publike. Kosova ka nevojë për shembuj të mirë të udhëheqjes. Kosova ka nevojë për fytyra të reja në postet kryesore të shtetit. Kosova ka nevojë për përfaqësim të denjë. Kosova ka nevojë për politikanë që e dinë sa kushton një litër qumësht dhe një kilogram bukë dhe refuzojnë të pinë shampanjë të kriminelëve të nëntokës dhe oligarkëve që kanë kapur shtetin në bashkëpunim me ata që e përdhosën lirinë e Kosovës me etjen e pafrenueshme për të gllabëruar gjithçka.

Çka është ajo shoqëri e drejtë? Është një shoqëri me institucione, të cilat nuk i shtypin, nuk i poshtërojnë dhe nuk ua pinë gjakun qytetarëve, vegjëlisë. Një shoqëri ku respektohet punëtori dhe dënohet i korruptuari. Një shoqëri ku gëzon respekt mësuesi dhe përbuzet keqbërësi. Një shoqëri që mjekun e sheh si shërues dhe jo si plaçkitës.

Para se të ndërtohet e mira, duhet të shporret e keqja. Të dielën! Atë ditë, pra të dielën më 6 Tetor 2019, duhet të dëgjohet zëri, klithma e buçima e dinjitetit të nëpërkëmbur me vite. Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm. Pushtetet e deritanishme shpesh e kanë shkelur dinjitetin e qytetarëve.

Duhet ta zhvillojmë pasionin për ta dashur shtetin dhe respektuar ligjin. Duhet ta zhvillojmë ndjenjën e përgjegjësisë ndaj rrethit dhe empatisë për çdo njeri, e sidomos për ata që nuk janë në gjendje të mirë ekonomike apo shëndetësore. Sepse mirëqenia e përgjithshme varet nga mirëqenie e secilit individ.

Ky ideal nuk arrihet shpejt, por le t’ia nisë Kosova kësaj rruge të dielën. Do të jetë rrugë e gjatë dhe e vështirë, por dikur, më së largu të dielën, shumica e qytetarëve me vullnetin e tyre të lirë duhet të sjellin në pushtet politikanë që çdo ditë e dëshmojnë me punë të hairit se e kanë merituar votën. Të dielën me revoltën demokratike Kosova duhet të tejkalojë një fazë absurde të historisë së saj: të durimit të pushteteve të padurueshme! Pastaj këtë ditë do ta kujtojmë me këtë fjali: të dielën e 6 tetorit jeta pati kuptim, mirë që jetuam kur jetuam! Ne ishim në anën e lirisë dhe përparimit social. Në anën e përpjekjes për siguri e për humanizim të shoqërisë. Ky mesazh nuk ka si të mbyllet ndryshe përveç se me fjalët e socialdemokratit të madh gjerman, Willy Brandt: «Duam një shoqëri që ofron më shumë liri dhe kërkon më shumë bashkëpërgjegjësi». Ashtu qoftë!

Burimi : dialogplus.ch