Kolumnist

Gratë ministre si kooperativiste - Nga Gavrosh Levonja

Që Edi Rama e ka tepër të qartë se rruga për të hapur negociatat është “në ngjitje” nuk do as mend e as kalem. Akti më i fundit që e provon një gjë të tillë është dhe një letër që gratë ministre të kabinetit të tij qeveritar i paskan derguar qeverisë dhe parlamentit të Hollandës ku i përgjërohen që të venë dorën në zemër e të mos i mbyllin derën europiane Shqipërisë.

Vetë ky fakt, ku kryeministri dikur një antienverist i flaktë është shtrënguar të verë në përdorim dhe një nga mjetet e preferuara të kohës së komunizmit, atë të letrave drejtuar komitetit qëndror, organizmave ndërkombëtare, partive e shteteve të huaja ku përfaqësues të organizatave të masave shprehnin mbështetje apo protestonin ndaj ndonjë padrejtësie ndaj Shqipërisë socialiste, tregon gjendjen pothuaj të pashpresë që e ka kapluar kreun e qeverisë shqiptare përsa i përket negociatave.

Duke e kuptuar situatën në të cilën ndodhet Edi Rama, e mirëkuptoj plotësisht përpjekjen e tij për t’ua “prishur mendjen” hollandezëve me letrën e grave të kabinetit të tij, letër të cilën nuk është çudi ta ketë shkruar po vetë. Por ajo që më krijon një ndjenjë neverie është gatishmëria e grave ministre, disa prej të cilave dhe të shkolluara në SHBA apo vende të ndryshme të Europës, për t’u vënë në rolin e kooperativisteve të Lapardhasë apo punëtoreve pararojë të ndonjë fabrike që firmosnin letra të hapura kundër krimeve të imperializmit amerikan në Vietnam apo kundër “tradhëtisë” së revizionistëve jugosllavë, sovjetikë e kinezë ndaj parimeve të marksizëm-leninizmit.

Ajo që duhej të kishte kuptuar Edi Rama është se letrave të tilla apo formave të tjera të ngjashme “u ka vdekur nëna” me kohë. Madje më e mundshme është që të kenë efekt të kundërt. Një shembull në këtë drejtim janë dhe letrat e shkrimtarëve, akademikëve, botuesve, drejtuesve të disa institucioneve, deri dhe të ndonjë presidenti, ku i kërkohej komisionit të çmimit “Nobel” që ky çmim t’i akordohej dhe shkrimtarit tonë Ismail Kadare. Që Kadareja mund ta kishte marrë këtë çmim nuk ishte ndonjë çudi, por veç faktorëve të tjerë, ka shumë mundësi që të kenë ndikuar dhe letra të tilla që synonin të influenconin vendimet e komisionit. Për hollandezët, francezët, danezët e të tjerë, më të prekshme se letra si ajo e ministreve janë letrat që mbushin shqiptarët çdo ditë për të kërkuar azil në vendet e BE-së.