Kolumnist

Lulzim Basha dil në rrugë! - Nga Ilir Levonja

Eshtë një pyetje që më ngacmon sa herë që shoh këtë katunarin e qeverisë shqiptare që del e na thotë se sapo ka folur në telefon me teze Merkelin, plot 45 minuta dhe se i vuri pikat mbi i. Se çfarë pikash kanë ngelur më, pas një JO-je të madhe, kur një makineri e tërë propogande ka ringjallur përpjekjen për të solidarizuar opinionin social karshi një figure ''imperialiste'' si presidenti i Francës Emmanuel Macron, katunari e di.

Eshtë skandaloze të mendosh se Edi Rama akoma kakaris por po kështu është edhe kur opozita mëdyshet të ulet në bisedime me Edi Ramën apo jo. Apo ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme pa Edi Ramën. Pyes me habi, a vazhdohet kështu? Nuk e di përse kjo opozitë ka ndërprerë protestat. Nuk e di përse akoma po ja zgjat ymrin një katunari. Sinqerisht që nuk po e kuptoj.

Përgjigja e parë më vjen nga memoria, është ajo që kemi aktualisht një PD të frigoriferit. Janë ato prurjet me kulisa dhe me kontestime të shumta në krye. Eshtë mirëfilli kjo arsyeja që sot përshembull nuk kemi më një PS në qeverisje, por një “Rilindje” që ka kthyer gjithçka në tregti, aq sa virozat e ekonomisë kërkon t'i mbyllë me koncesione të njëpasnjëshme dhe skupe lajmesh mbi terrorizmin apo me vemje të ekstraduar me porosi nga Turqia. Kësisoj mund të kemi nesër edhe një qevrisje nga listat e njëshit.

Me sa duket është një PD që akoma nuk është gati të qeverisë, ose nuk e do vendin, se po ta donte do dilte në rrugë që të njëjtëzohej me frymëmarrjen kombëtare. Madje nuk kuptoj as këta kryetarët e partive të vogla, në koalicionin opozitar që tentojnë të ulin Bashën në bisedime me Damo Tërmetin? Por pastaj kujtohem që kanë ardhur nga listat dhe këta. Zotërinj po ikën edhe Tetori dhe agonia vazhdon. Dilni e fitoni drejtëpërdrejtë ose hapni krahun. Nuk është fundi i botës që përshembull republikanët t'i drejtojë dikush tjetër veç Mediut, por sot, e kam me Lulzim Bashën dhe i them nëse je opozitar dil në rrugë. Një kalldrëm që nuk shkundet e mbyt pluhuri. Janë justifikime ato që na tha ky ashtu e ky ashtu etj. Mos të dalim kundër këtij apo kundër atij.

Së pari misioni i opozitarit është vendi i tij, shoqëria ku militon. Dhe padrejtësia e parë fillon nga kulisat e bisedimet pasi minimizohet vota e sovranit. Sot shoqëria shqiptare është hipotekuar nën emrin e Ramës dhe disa emra si Basha, Kryemadhi etj. Ky është mirëfilli dështim politik, ndaj duhet të minohet menjëherë. Dhe rruga e vetme është protesta. Protesta për sa më shumë ajër për sovranin.

Sot shoqëria shqiptare është peng i studiove politike, çfarë tha ky apo çfarë tha ai. Është mirëfilli dështim social ndaj duhet të zbythet menjëherë. Opozitarizëm quhet sfida nuk ka zgjedhje dhe nuk do të ketë kurrë me Edi Ramën. Eshtë gabimi më i madh shoqëror pas Enver Hoxhës dhe shumë shpejt do ta shohim firon e diktaturës të përsëritet dhe stanjacioni do vazhdojë.

Koha u ka dhënë një shanc të madh, por me sa duket ju nuk e kuptoni akoma sfidën. Dilni, o fitoni, o vdisni se nuk ka se si të jeni nesër të dobishëm për popullin. I mbushët rrugët muaj më parë pasi njohët sfidën..., vërvitët tutje ca mandate që nuk ishin prurje organike, por amalgamë. Kësisoj ky hezitim i tanishëm po ju zbeh më keq, po çon ujë në kopshtin e katunarit. Dilni në rrugë se ky që është në pushtet nuk largohet kurrë normalisht. Eshtë humbje kohe. Dhe po nuk fituat vetë, prapë do t'i bëni Shqipërisë një shërbim të madh, atë më jetikun, faktin se ajo egziston dhe se e do demokracinë. Ndryshe hapni krahun se nuk ka opozitarizëm me deklarata shtypi, por nga rruga, nga sheshi, nga vota e madhe.

Ka kaq muaj që keni rënë në një gjumë vdekje, aq sa përsëris me vete, si nuk doli kush t'i hedhi një kovë me ujë Lulzim Bashës? Po ndoshta demokratët e racës janë kthyer në llapista mikrofonash dhe gicimici karshi njëri-tjetrit. Shkurt shohin bythën e vet, u pëlqen mëndja e vet se me shqiptarët tall menderen katunari. Kjo është absurd! Pas një viti të nxehtë dhe plot sfida të presësh prapa dere tregon pasiguri. Të presësh me frymën ngrirë se kë shqetëson dhe kë jo veprimi jot, kë nga ata në Bruksel apo gjetkë, ndërkohë që shqiptarët zihen studiove nënë e bir, të ikin apo jo. Shqiptarët hedhin prodhimet në rrugë. Kanë barriera në të drejtën për studim. Kanë pasiguri në investime. Ua marrin pronën e përbashkët dhe e shesin si të tyren një i parruar dhe një çilimi televizori. I mbyti droga. Janë pa shpresë karshi institucioneve. Dhe më thelbësorja, nuk dinë se çfarë bëhet me votën e tyre, përse quhen sovran, përse rrojnë etj. Shkurt a ekzistoni? Nëse po, dilni, hiqni kollaret, madje edhe këpucët. Opozitarizmi është i shenjtë jo llapizëm mikrofonash.