Kolumnist

Pikat që po i bien Ramës - Nga Alfons Zeneli

Vënia e pikës, rënia e pikës dhe pikë e zezë janë tre nga disa prej shprehjeve frazologjike që shqipja ka formuar me bazë fjalën ''pikë''. Njëra prej tyre konkretisht e para, pra ''të vësh pikat mbi i'', është përdorur nga kryeministri për të ilustruar përmbajtjen e bisedës ''45 minutëshe'' me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Shprehja në fjalë nënkupton arritjen e një gjendjeje ku gjera të lëna përgjysëm apo evazive venë në vendin e tyre, qartësohen dhe plotësohen e marrin formë përfundimtare. E përdorur në rastin konkret nga Rama, kjo nënkupton se gjatë bisedës të dyja palët, pra ai dhe Angela kanë korrigjuar disa nga ato paqartësitë, pra kanë plotësuar te gjitha ''i''-të që nuk kane patur pika sipër. U kanë dhënë zgjidhje disa dilemave dhe turbullirave të dyanshme. Pra herë ka propozuar Edi dhe ka rënë dakort Angela dhe herë ka propozuar Angela e ka rënë dakort Edi.

Të bie në sy se Edi, megjithëse qefli ekranesh e rrjetesh sociale nuk e ka marrë mundimin të na detajojë se çfarë kanë biseduar konkretisht, pra cilave ''I'' u kanë bërë derman duke u vënë pikat e shumëpritura. Sepse një bisedë 45 minutëshe me një prej njerëzve më me influencë në planet aq më tepër në një situatë kaq delikate si kjo e jona, duhet të ketë qënë pa asnjë dyshim interesante, jashtëzakonisht e rëndësishme dhe aspak e fshehtë, pra e klasifikuar. Shkurt, nuk është folur për asgjë tjetër përveçse për çështjen e negociatave dhe anëtarësimit në parim.

Po t'i referohemi tonit festiv dhe fillit eksitues që shoqëron atmosferën stilistike të statusit të Ramës, na bie të besojmë se bëhet fjalë për një bisedë rezultatet e së cilës janë dukshëm në favor të Ramës. Atëhere përse nuk na i shpall ai? A është i njëjti Ramë që na citoi gjysmën e deputetëve dhe politkanëve të Evropës? Gjermania ka goxha kohë që ua ka vënë pikat punëve sa i përket Shqipërisë. Tani së fundmi janë shfaqur nëntë ''i'' të cilat kanë shumë kohë që presin t`ua vëmë pikat permbi.

Disa prej tyre janë: formimi i Gjykatës Kushtetuese, trajtimi prej kësaj Gjykate i çështjes nëse zgjedhjet janë apo jo legjitime, fillimi i proçedimeve penale për gjyqtarët dhe prokurorët të cilët kanë ngecur në rrjetën e Vetting-ut, nxjerrja para drejtësisë e politikanëve që janë përfshirë në shitblerje votash apo krime të tjera elektorale. Këto lloj ''i''-sh janë të atilla që duan pika shumë të rënda mbi krye. Secila prej tyre tingëllon si përgjegjësi direkte e qeverisë, pra Angela thjesht po na tregon se si duhen vënë pikat mbi ''i''-të e shtrembëra që ka pikturuar Edi në fletoren e bukurshkrimit të Shqipërisë.

Çuditërisht nuk na del se pikat e ''i''-ve na i ka fshirë Makroni. Dhe kjo si duket e ka frymëzuar sërish gjermanishten e Ramës tek i thotë ''shoqes së ngushtë'', asaj gocës së lagjes që banon ende te ''Myslym Shyri'': ''Danke Angela''. Por vetëm gjermanishten ama se të tjerat duket do të jenë po aq të zeza sa dhe pikat pasi dihet që secila prej tyre është një pikë që ka për t'i rënë Ramës pikërisht aty ku nuk thuhet.