Kolumnist

Vazhdon tragjikomedia e karnavalit kosovar - Nga Enver Robelli

Nga: Enver Robelli

Ndërsa njëri thotë «në këtë vend gjithçka është e mundshme», sepse «jeta është fluide», dhe kështu tallet me opinionin, tjetri dërgon ftesa, një, dy, tri, por ai i treti, fitues relativ zgjedhjesh dhe ende pa shumicë parlamentare, nuk di çfarë të bëjë përpos të refuzojë ftesat. Personazhet e tragjikomedisë do të garojnë edhe ca, do t’i ngrenë njëri-tjetrit kurthe, do të përpiqen të shkelin afate, të lakojnë ligje, të (keq)interpretojnë paragrafë, të injorojnë nene. Karnaval kosovar. Për fatin e keq të Kosovës ky është karnaval i rrezikshëm. E kemi parë çfarë ka ndodhur në dimrin e viteve 2014/15, kur u larguan rreth 100 mijë qytetarë të Kosovës në drejtim të Europës Perëndimore. Atëbotë një udhëheqës i Kosovës tallej me të ikurit, thoshte: ata po largohen me telefona mobilë. Qe, pra, çka është cinizmi. Po telefona mobilë kanë pasur edhe refugjatët që më 2015 iknin nga Halepi i Sirisë dhe kalonin nëpër Ballkan.

Shpresa e 6 Tetorit tashmë u mbyt. «Suksesi nuk e ndryshon njeriun. E demaskon», shkruante autori zviceran Max Frisch. Këtë ia kanë arritur dy fituesit e zgjedhjeve të 6 Tetorit. Ndërsa nga distanca i dërgojnë selame me helm njëri-tjetrit, shoqëria e Kosovës ka nevojë urgjente për vende pune, infrastrukturë funksionale, ushqime të pahelmuara, siguri publike, rrymë dhe ujë, hapësirë banimi, sistem funksional shëndetësor, arsim cilësor, kulturë, liri të lëvizjes, qeverisje të mirë, menaxhim të mirë të buxhetit, salla dhe fusha sporti, shkolla të muzikës, shkolla të artit, shkolla profesionale, kujdes për të gjithë e sidomos për të varfrit, mbrojtje të ambientit, lumenj të pastër, liqene të pastra, pensione që sigurojnë jetë të dinjitetshme, solidaritet mes gjeneratash, çerdhe për fëmijë që e meritojnë këtë emër, barazi mes shtresave të ndryshme të shoqërisë, ruajtje të resurseve publike, privatizime të kujdesshme, menaxhim i mirë i ndërmarrjeve publike, punësime sipas meritës dhe kualifikimit dhe jo sipas lidhjeve farefisnore apo mafioze.

Kur një popull mbështetet për muri nga poshtëruesit e tij, të cilët i përqafoi si shpresëdhënës, nuk mbeten shumë rrugë. Mbetet vetëm një. Ikja nga vendi. Edhe këta, si ata të viteve 2014/15, do të ikin me telefona mobilë në xhep. Presioni social do të bie, e me ketë edhe numri i shqiptarëve në Kosovë. Kjo lehtëson sundimin e të papërgjegjshmëve. Dhe sundimin e tyre e ushqen, pa dashje, diaspora me rreth një miliardë euro në vit.

Banka Botërore vlerëson se vendet të cilat luftojnë korrupsionin, përmirësojnë qeverisjen dhe forcojnë sundimin e ligjit mund të rrisin të ardhurat për kokë banori deri në 40 për qind. Ku të gjenden ata politikanë në Kosovë? Sistemi që kanë ndërtuar pushtetet e deritanishme zor se do të çmontohet me këtë mentalitet arrogant të fituesve të 6 Tetorit. Korrupsioni si model dhe largim nga e ndershmja është rrënjosur thellë në të gjitha poret e shoqërisë. Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për para. Bëhet fjalë korruptim e kalbje morale. Andaj, edhe kur krijohet momenti i shpresës, dalin forcat e vjetra e bëhen bashkë për të shpëtuar sistemin e tyre.

Burimi: dialogplus.ch