Kolumnist

Çfarë e lidh Bashkinë e Tiranës me "Princeshë Huriyen"? - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Në adresën e FlasShqip vjen para një jave një shqetësim i një qytetareje lidhur me emrin e një çerdheje publike nën administrimin e Bashkisë së Tiranës në rrugën “Komuna e Parisit”. Kjo çerdhe quhet “Princeshë Huriye”, dhe pranë saj valëvitet flamuri kombëtar. 

Nga njohuritë që kemi marrë në shkollë rreth historisë së mbretërisë në vendin tonë, nuk na rezulton ndonjë princeshë me këtë emër. Por duke dyshuar se shkollat shqiptare shumë historira na i kanë mbajtur sekret, kërkuam edhe në botën ku hidhet çdo informacion, në internet. Gjetëm një princeshë me emrin Hayriye në kohën e Perandorisë Osmane, por duke ditur që jo çdo gjë në internet është e saktë, kërkuam informacion pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve në Bashkinë e Tiranës rreth historisë së Princeshë Huriyes.

E-mail-it të FlasShqip iu përgjigj drejtoresha e Zhvillimit dhe Kujdesit znj. Enkelejda Isaku, duke na njohur me faktin se shërbimi në institucionet e edukimit në Republikën e Shqipërisë është laik dhe se për fëmijët e vegjël nuk bën sens përkatësia fetare. Deri këtu, asgjë që nuk dinim, edhe pse nuk e pyeti njeri bashkinë mbi besimin e fëmijëve. Nejse, më tej drejtoresha pohon se çerdhja Nr. 33 quhet “Princeshë Huriye” për shkak se kështu ka dashur donatori ta quajë. Sepse ju e dini sa merak i ka fëmijët Bashkia e Tiranës. Që t’i plotësojë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, këshilli bashkiak minimalisht ia fal investitorit të drejtën e vendosjes së emrit të institucionit publik dhe e miraton emrin pa e verifikuar atë. Domethënë kush jep paratë, ka të drejtë të vendosë dhe kushtet. Donatorin, drejtoresha nuk na e tregoi, dhe historinë e Princeshë Huriyes e mbajti për vete.  

Kështu që ne bashkë me qytetaren e interesuar ende nuk e dimë se kush ka qenë princeshë Huriya. Çfarë të mirash ka sjellë ajo për Shqipërinë? A ka qenë ajo simbol i zhvillimit dhe kujdesit të fëmijëve?

Por interneti duhet besuar ndonjëherë. Sepse gjetëm që ekzistoka edhe mundësia që historia e emrit të çerdhes të jetë e lidhur me jetën personale të donatorit, i cili është shfaqur në media si investitor turk në Shqipëri. Ai shprehet se ka nderuar nënën dhe vajzën e tij me emrin e kësaj çerdheje. Bukur dhe bravo do thoja nëse çerdhja do të ishte private, për të edukuar fëmijët dhe të afërmit e donatorit, por jo një çerdhe publike. Sepse nuk mund t’i vihet një institucioni publik emri i një anonimi që për pjesën më të madhe të shoqërisë, nuk ka asnjë domethënie. Pak arsimtarë të shquar dhe edukatorë të zotë ka patur dhe ka vendi ynë? Pse mos të respektohen ata, apo se s’kanë influencë në qeverisje?

Kështu pra një tufë me pará në Bashki pas një kauze të mirë, bën që një emër të zërë vend në zemrat dhe mendjet e fëmijëve në Shqipëri. Sepse, të vegjël të vegjël, por kujtimet do t’i shoqërojnë gjithë jetën këta vogëlushë që shumë shpejt do të dalin nga ajo çerdhe dhe do të krenohen ku i kanë hedhur hapat e parë.

Sot ishte "Princeshë Huriye", nesër mund t’i teket dikujt t’ia vendosë Lymi, Lali apo Fiku.  

 

©FlasShqip.ca