Kolumnist

Si mund të binden njerëzit për të qëndruar në shtëpi - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

E keni parasysh kur një adoleshenti i thuhet mos e bëj këtë apo atë dhe ai bën të kundërtën? Kështu po ndihen qytetarët në Shqipëri, prandaj po rebelohen edhe pse e dinë pasojën negative që është sëmundja apo gjoba.

Por pse ndodh kjo? Sepse si një adoleshent përballë të panjohurës “Rritje”, njerëzit kanë përballë të panjohurin COVID-19. Ata ndihen sikur dinë, por edhe s’dinë. Kjo i bën të ndihen të lodhur duke dëgjuar gjithë ditën dhe prej kujtdo “Rri në shtëpi”.

“E di që duhet të rri në shtëpi”- thotë një adoleshent, boll ma përsërite sikur të jem shurdh, apo i metë nga trutë.

“Po nuk qëndrove në shtëpi je tradhëtar”. Ou - thotë qytetari. -Ndoshta të quhesh tradhëtar nga ky pushtet do më dalë më mirë me qeverinë tjetër. Dhe sfidon me dalje. 

Të nderuar politikëzbatues!

Nuk disiplinohen njerëzit me urdhra të pastrukturuar që vijnë nga qindra e mijëra kanale komunikimi. Aq më tepër kur shoqërohen me sharje, frikë apo kërcënime boshe të pazbatueshme. Me patrulla policore a të armatosura. Me ligj të posaçëm ndalim-qarkullimi? Nuk pijnë ujë këto masa. Cili do jetë rezultati? Burg? Po a ka vende të lira burgu dhe a është i përgatitur të përballojë epideminë? Gjoba? Për ata të varfër që s’kanë lekë për bukën e gojës? Jo pra.

Të gjithë po japin urdhra sot. A disiplinohet një adoleshent nëse i japin urdhër njëkohësisht të gjithë anëtarët e familjes? Jo, sepse ai bëhet konfuz me autoritetin.

“Rri në shtëpi”- është një formë urdhërore, që nuk ka si target ndërgjegjen, por trurin e qytetarit të marrë komandën. A funksionon komanda me të gjithë? Jo dhe jo.

Përsëritja e urdhrave nga qytetarë e pushtetarë nuk prodhon efekt pozitiv. Njerëzit kanë nevojë për pushtetin e ekspertit. Atij do t’i binden.

Nxirr në mënyrë periodike në ekran ekspertët dhe lërini t’i shpjegojnë me detaje masat e kërkuara dhe arsyet se pse kërkohen të respektohen këto masa. Zgjidh një specialist të njohur, një emër të respektuar e vlerësuar të bëhet zëdhënësi i situatës.

E mbani mend si e hipnotizoi popullatën inxhinierja Luljeta Bozo? Sepse ushtroi qetësisht në kohë krize pushtetin e ekspertit. As me prepotencë, as me nerv, as me sulm, as me urdhra. Kompetencën të gjithë mund ta dallojnë dhe asaj i nënshtrohen pa xhibla.

Kryeministri duhet të dalë vetëm nëse shpall gjendjen e emergjencës civile apo gjendjen e jashtëzakonshme dhe të shpjegojë planin. Kryeministri nuk duhet të dalë as për të dhënë këshilla. Ai nuk ka besueshmërinë e ekspertit dhe njerëzit nuk e marrin seriozisht. Daljet e tij, urdhrat dhe kërcënimet njëlloj si një prind pa autoritet nuk i pijnë ujë fare tek popullata.

Jepini hapësirë ekspertëve. Është koha e tyre të menaxhojnë tashmë turmat e pabindura të prodhuara nga politikanë të paaftë.

Lejojini ushqimoret të qëndrojnë hapur gjithë ditën, disa mund edhe të rrinë hapur 24 orë në mënyrë që njerëzit ta dinë se ushqimet aty janë dhe të kenë mundësinë e blerjes në çdo kohë. Mund të organizosh sipas grupmoshave daljet me grafikë. Duke mos ua marrë lirinë njerëzve me forcë u njeh atyre të drejtën që ata janë zot të shëndetit dhe jetës së vet. 

Vendosni njoftime në çdo kasë blerjeje të ruhet distanca sociale. Për t’u siguruar kjo, mund edhe të punosësh dikë në këtë detyrë, punonjës rendi apo bashkiak.

Dezinfektoni ambientet e dyqaneve herë pas here, karrocat e ushqimit.

Cakto shpërblime për familjet që respektojnë karantinën. Falu pagesën mujore të dritave ose ujit. Bëj diçka me pagesat mujore, që të mos u rrinë si çekan mbi kokë halleve të qytetarëve.

Bëhu kreativ edhe në këto kohë krize. Zhvillo një konkurs karantine. Ndiz shpirtin e konkurencës kush qëndron më shumë pa dalë dhe shpërbleji qytetarët që kanë treguar humanizëm dhe altruizëm në këtë kohë pandemie.

Ndëshkimet nuk prodhojnë efekte pozitive. Tek-tuk mund të funksionojnë për të kontrolluar sjelljen, por efektin e kanë të shkurtër.

Motivimi, ndërgjegjësimi dhe shpërblimi janë format më të mira dhe këto duhet të drejtohen e planifikohen nga ekspertët.

Hiqni dorë nga urdhrat e tipit “Rri në shtëpi”, ndryshoji ato në pozitive. Është më mirë që secili të ndajë eksperiencën e tij të qëndrimit në shtëpi duke thënë “UNË rri në shtëpi” sesa “Rri në shtëpi”. Kush e bën këtë nuk ushtron opresion mbi tjetrin, dhe kjo na duhet sot. Sepse mundet që çfarë funksionon me kinezët nuk funksionon me shqiptarët. Një popullatë me trauma diktature, e urdhëruar në një kohë kur nuk është e plotësuar në nevoja, është si një minë me sahat.

Respektoji shtetasit e tu kryeministër, tregohu i përulur dhe vlerësoji përpjekjet e tyre për të përballuar këtë krizë globale. Tregoju atyre se qeveria dëshiron t’i kuptojë sjelljet rebeluese të rrezikshme dhe ftoji përulësisht të kontribuojnë me ide sesi të rrinë gjatë në karantinë.

Vetë-vendosja është parimi që përdorin këtu në Kanada dhe funksionon. Tregojuni qytetarëve respektin që keni për të drejtën e vetëvendosjes duke u shfaqur ndihmues në këtë të drejtë dhe jo pengues. Tregoni seriozitet që t'ju marrin seriozisht juve dhe situatën. Ata po e nënvlerësojnë rrezikun sepse nuk ka konsistencë prej qeverisë dhe nuk ka përqëndrim forcash politike në një drejtim. Nuk është koha për tallje opozite, por për bashkim. 

Shqiptarët nuk janë injorantë, as idiotër siç po u thonë nëpër rrjete sociale. Shqiptarët janë njerëz të fortë, ndonjëherë, disa prej tyre të paarsyeshëm dhe emocionalë, por përgjithësisht janë të ndjeshëm dhe kujdesen për familjen dhe njeri-tjetrin. 

Thirrini ndjeshmërisë së tyre, humanizmit, solidaritetit dhe gjykimit të shëndoshë, dhe mos stigmatizo, paragjyko apo etiketo çdokënd që mendon e vepron ndryshe, sidomos në kushte të jashtëzakonshme, kur qeveria nuk është e qëndrueshme në masa, vendime, apo reagime.

Fundja duhet të dish, po të kthesh sytë nga vetja dhe të shohësh në thellësi. Diku, do të jetë gjithmonë dikush që do mendojë ndryshe, edhe në kohë lufte edhe në kohë paqeje.

©FlasShqip.ca