Kolumnist

Nevojë për vendime maturie - Nga Veton Surroi

Nga: Veton Surroi

Para çdo interesi tjetër të veçantë (politik, partiak,etj) interesi i Republikës së Kosovës është që në javët në vijim të luftohet pandemia COVID-19. Kemi hyrë në dy javët kritike dhe i tërë përqendrimi i resurseve qeveritare e shoqërore duhet të jetë i drejtuar aty

Qeveria e Republikës së Kosovës është prej sonte në dorëheqje. Ajo duhet të vazhdojë punën çdo orë dhe çdo ditë, duke u marrë me krizën e COVID-19. Ministrat e LDK-së, brenda ndërgjegjes së tyre, kanë obligim ndaj vendit që ta vazhdojnë detyrën.

Qeveria në dorëheqje e Republikës së Kosovës mund të zëvendësohet vetëm nga një Qeveri e re e krijuar brenda procedurave kushtetuese.

Është obligim kushtetues që konsultimi për të mandatuar kryeministër të ri të fillojë me partinë apo koalicionin fitues të zgjedhjeve, pra LVV.

Në çështje prioritetesh kohore, lufta kundër COVID-19 meriton vëmendje të plotë dhe çdo çështje tjetër që mund të marrë më shumë kohë, siç janë konsultimet politike, shndërrohen në dytësore.

Kushtetuta e Kosovës nuk ka afat të përcaktuar për procesin e nominimit të kandidatit të ardhshëm për mandatar. Andaj, sado të marrë kohë ky proces, vendi duhet të përqendrohet në luftën kundër COVID-19. Qeveria në dorëheqje ka autorizime të mjaftueshme ligjore për ta vazhduar punën pa nevojë të përkrahjes së Kuvendit të Kosovës, i cili duhet të mblidhet kurdo që të jetë e gatshme marrëveshja për zgjedhjen e Qeverisë së ardhshme.