Kriminel sepse i sëmurë - Nga Artan Fuga
Kuvendi i Shqipërisë e kaloi ligjin që dënon të sëmurët, të cilët infektojnë të tjerët. Kësisoj ne kemi ligjin e parë eugjenik dhe genocidist në këta tridhjet vjet!
Për ata që e bëjnë me qëllim - na thonë disa! Pra, që kanë viruse epidemike në trup dhe që me qëllim e kthejnë trupin e tyre në mjet për të infektuar të tjerët!
Mirëpo si do ta gjesh qëllimin ta zemë te një njeri që është me kolerë, botkin, a me Covid-19, që shkon të blejë kastraveca te tregu fshatar dhe atje iu ngjit sëmundjen të tjerëve! Edhe sikur ta ketë bërë me qëllim, nëse është qëllimkeq, pse do ta pranojë ai qëllimin e tij të keq?
Ta zemë është një pjestar i një organizate terroriste që infektohet për të infektuar të tjerët! Pse do ta pranojnë ata qëllimin e tyre të keq? Pse budallenj janë ata të bëjnë këtë gjë kur fare mirë e ngjisin virusin te qytetarët e pafajshëm të cilët padashur ua ngjisin të tjerëve. Pa pikë qëllimi?
Të dënohet krimi bakteriologjik kryer nga organizata terroriste, ka tashmë ligje, pa merak!
Kjo puna e qëllimit ose e mungesës së qëllimit është pesë me hiç, një budallallëk.
Po ata që duan t'i ngjisin virusin e budallallëkut të tjerëve? Me ata si do të bëjmë?
Ligji do t'i thotë njeriut të infektuar: shiko se del dhe kontakton të tjerët dhe pastaj u ngjit sëmundjen, do të hash 5, 10, 15, 100 vjet burg?
Qëllimin e thamë, është pesë me hiç, por dikush nga drejtësia mund t'i thotë: Qëllimin tënd e dimë ne ore kriminel, sigurisht ti nuk do ta pranosh!
Dhe ne dënojmë me ligj dikë për faktin se është i sëmurë, dënojmë, seleksionojmë, eliminojnë nga hapësira publike të sëmurët! Cfarë ka eugjenizmi që kërkon seleksionimin e racave të pastra dhe genocidi ndaj të sëmurëve më shumë se kaq?
Kur shoh që opozita hesht në këtë rast dhe bën deklarata thjesht sikur të ishte dispanceria e lagjes, më vjen keq!
Mirë, po një sipërmarrje, një kinema, një shkollë, një njësi shitjeje, një parti politike që bën kongrese, mitingje, festa, protesta, në kohë virusesh epidemike dhe më ka shkaktuar sëmundjen, me sa vjet burg, internim apo qeli do të dënohet?
Sepse ai i sëmuri diku e ka marrë virusin! Kush e mban përgjegjësinë ligjore që ai është virusuar, ne kemi virusin e kolerës, Covid1-9, SIDA-n a ndonjë virus tjetër si sifiliz, turbekuloz, malarje etj?
Do dënohet ministri i Arsimit se virusin e kam marrë në shkollë, i Kulturës sepse e kam marrë në kinema a teatër, do të dënohet ai i ushtrise sepse e kam marrë duke përdorur armët balistike Tokë-Ajër-Tokë në stërvitjen ushtarake të shkollës së lirë ushtarake të lagjes?
Nuk duhet ligji të plotësohet mirë e bukur atëhere?
Ky i infektuari, i sëmuri kriminel, jashtë nuk duhet të dali sepse bën krim!
Po kur ka pesë fëmijë, gruan, vjehrrin dhe vjehrën në një apartament me një dhomë e një guzhinë, duke ndejtur me ta a nuk i infekton, a nuk bën krim? Pra po infektove të huaj bën krim, po infektove familjen, pastaj familja të gjithë shkallën, e gjitha shkalla të gjithë katundin, ah jo në këtë rast nuk bën krim! Çfarë logjike juridike është kjo?
Poqese jam i infektuar me kolerë, a me Coronavirus, por jam vetëm, më hahet bukë, nuk më sjell kush për të ngrënë, a duhet të vdes urie këtu në këtë wc time apo të dal te furri i lagjes të blej ndonjë byrek?
Sipas këtij ligji si duket më duhet të vdes urie ose të pranoj se jam unë Qenan K. krimineli i lagjes!
A merr pësipër shteti që po të kem një semundje infektive të më vërë në dispozicion ndonjë vilë andej nga kodrat e Tiranës të qendroj vetëm? Atëhere po, ta bëjë këtë ligjin! A merr përsipër të më ushqejë, veshmbathje, poqese jam unë virusi? Atëhere po, të më quajë kriminel!
Kjo i hap rrugë mbledhjes të të gjithë të sëmurëve në kampe përqendrimi ku të rrinë me njeri tjetrin! Unë protestoj për këto mendësi genocidiste që vijnë nga frika dhe paniku i burokracisë nga semundja e tyre!
Edhe sikur të mos ndodhë kjo, logjikisht aty çon!
Po sa mijëra të semure me semundje infektive ka që qarkullojnë lirshëm?
Kemi ne teste për të gjithë ata që jane infektuar me Coronavirus?
Çfarë kuptimi ka të dënosh dikë qe ka simptoma, që nuk dihet se kush i vlerëson, kur për mungese testesh infektohen rrugeve mijra të tjere?
Do të ketë një ligj me varje për këte? Çfarë i keni këto mooooo!
Kush nxorri ligj që dikush me SIDA në dashuri e sipër infektoi partnerin i cili vdiq të dënohet me burg?
Pse Gjermania nuk dënon të sëmurët por vendos 1000 Euro gjobë për këdo që nuk respekton rregullat e higjenës? Pra, të sëmurë dhe të shëndoshë, për sjellje objektive të matshme, jo për shkakun e fajit se është sëmurë!
Që nga dita e sotme ne jemi potencialisht të infektuar me Coronavirus, jo vetëm infektojmë familjet tona, por edhe jemi të gjithë kriminelë!
Ne jemi të fajshëm sepse jemi të sëmurë!
Sot u konfirmua që virusi i budallallëkut është i përhapur!












