Politika nuk ka punë me drejtësinë
- Nga: Gavrosh Levonja
“Mos arrestoni protestuesit, po arrestoni Berishën dhe Bashën!”- kështu deklaroi deputeti socialist, Erion Braçe të nesërmen e protestës kundër vendosjes së pagesës në Rrugën e Kombit, protestë e cila degjeneroi në dhunë.
Një kërkesë e tillë mund të konsiderohej mëse normale e dalë nga goja e një qytetari të zakonshëm, në bazë të të drejtës që ka për të shprehur mendimin e tij. Por, në momentin kur këtë e kërkon një deputet i rëndësishëm i partisë në pushtet, situata paraqitet shumë më e ndërlikuar.
Konkretisht, ajo që kërkon Braçe, më shumë se një kërkesë tingëllon si një urdhër që i jepet prokurorisë për të vënë në pranga drejtuesit e opozitës. Sigurisht që deputeti i vjetër socialist kërkon arrestimin e Berishës e Bashës duke pasur parasysh qëndrimet me deklarata publike të opozitës kundër vendosjes së pagesës në Rrugën e Kombit, qëndrime këto që ishin në unison me reagimin negativ të një pjese të konsiderueshme të qytetarëve në të dy anët e kufirit. Mirëpo, të vepruarit sipas një mentaliteti të tillë të çon në atë që opozita nuk duhet të shprehë asnjë kundërshtim ndaj çdo mase ta qeverisë, sado karakter antipopullor të ketë një masë e tillë. Për sa i përket kësaj, nuk e kam fjalën për Erion Braçen, por për mentalitetin në fjalë, pasojat e të cilit i ka ndjerë mbi shpinë edhe vetë deputeti i PS-së, madje që në fillimin e viteve 90-të kur zhvillimet në vend e kishin hedhur në opozitë.
Në një sistem demokratik, nuk besoj të dënohet dikush nën akuzën “për nxitje të dhunës”, për më tepër duke mos qenë i pranishëm në vendngjarjen ku ka ndodhur dhuna apo janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin. Konkretisht, Berisha, Basha apo Kryemadhi e Vasili ishin në Tiranë kur protestuesit shkatërronin e digjnin në Kalimash. Në një rast të tillë, përgjegjësia mund të shkojë deri tek personi apo subjekti i cili ka kërkuar lejen për zhvillimin e një manifestimi, siç ishte dhe protesta në Rrugën e Kombit.
Nga ana tjetër nëse Braçe i njeh vetes të drejtën t’u kërkojë organeve të prokurorisë procedimin e Berishës dhe Bashës për “nxitje të dhunës”, atëhere edhe pala kundërshtare ka plotësisht të drejtë të kërkojë procedimin e Ramës dhe ndonjë tjetri nën të njejtën akuzë për ngjarjet e zhvilluara në 21 janarin e shtatë viteve më parë.
Nga ana tjetër, me një deklaratë të tillë që më shumë duket si një urdhër dhënë prokurorisë, kjo vihet në një pozitë të sikletshme, duke u ndjerë me duar të lidhura, pasi për çdo hap që mund të ndërmarrë ndaj opozitës, do të akuzohet lehtësisht se “merr urdhëra” nga pushteti politik. Aq më shumë po të merret në konsideratë momenti dhe rrethanat në të cilat u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme.
Në përgjithësi, çdo kërcënim me procedim penal e me burg, i ardhur nga politika në drejtim të krahut kundërshtar, nuk bën gjë tjetër, veçse komprometon reformën në drejtësi për të cilën është trumbetuar se do të jetë “shpëtimi i vendit” duke zhvlerësuar predikimet e pretendimet për të ashtuquajturin “rule of law”. Eshtë mirë që politika të mos hapë gojë për asgjë që ka të bëjë me ushtrimin e drejtësisë nga strukturat e kësaj të fundit duke bërë presione në forma të ndryshme.











