Zgarbi si Panajot Barka - Nga Alfons Zeneli
Grekët e kanë bëre grek edhe Vorio Epirin edhe Orikumin edhe Butrintin, edhe Saranden, edhe Korçen, edhe Përmetin, edhe Kolonjën edhe Gjirokastrën po e po, edhe Apolloninë.
Grekët i kanë bërë greke edhe fustanellën edhe polifoninë edhe kimonon japoneze edhe fasulet. Ka dhe shumë gjëra të tjera (të gjitha të vlefshme) të cilat, sipas një inventari të Panajot Barkës janë greke.
Gjëra të tilla ju mëson studentëve të vet në Universitetin e Gjirokastrës ku është dhe shef katedre. Atij fshatarit të shkretë nga Sopiku, vetëm për një fjalë goje krejt të vërtetë, konsullata greke e Gjirokastrës me plotëfuqinë e saj mbi fatet dhe territoret e njerëzve ia anuloi vizën dhe të drejtën për të lëvizur në Greqinë e lënduar nga "shovinizmi" i vetë fshatarit.
Ndërsa Panajot Barka i bie mes për mes detit të marrëzisë histerike antishqiptare dhe "barkës" së tij nuk i hyn pikë uji. Imagjinoni një profesor shqiptar të flasë për Çamërinë në ndonjë shkollë greke.
Pra kemi dy pamje: 1- një shqiptar thotë se X fshat është shqiptar e pëson keq dhe ndëshkohet menjëherë nga autoriteti diplomatik grek dhe 2- një pedagog që bën propagande dhe diversion të qartë antishqiptar të cilit shteti shqiptar nuk mund t`i bëjë asgjë.
Të dyja këto ngjarje zhvillohen brenda territorit Shqiptar. Nuk do jetë aspak çudi kur çetat e të marrëve, ndonjë ditë të quajnë greke edhe kabuninë edhe karkalecat e detit edhe Vallen e Tropojës.
Nuk do jetë aspak çudi nëse ndonjë ditë do të kërkojnë të hapin shkolla greke në Zall Bastar, në Kllojkë, në Kala të Dodës, Vermosh dhe në Dragobi.
Nuk është çudi aspak që ndonjë ditë, Elisa Spiropali në vend të Skënderbe ta quajë shefin e vet Jorgo Kastriotidhis. Jetojmë në Shqipëri, gjithçka mund të ndodhë.

Kalorësi Orthodoks i Varrit të Shenjtë të Kishës Greke nuk e ha kot bukën e Batalionit Kryqmbajtës. Gojët e "të pafeve" që Kriston nuku e dëgjojnë në greqisht por në një gjuhë barbare të mallkuar edhe nga Mitropoliti i Kosturit, thonë se Kalorësi ua ka vënë syrin edhe shumë objekteve të tjera tradicionale për t`i shembur.
Shkatërrimi i gjithë kësaj plejade vlerash arkitekturore e historike do të krijojë një hapësirë boshe të cilën në një të ardhme të afërt a të mesme shkatërruesit mund ta mbushin me çfarë të duan. Për këtë po kujdesen ministritë e linjës të cilat në një farë mënyre janë duke luajtur rolin e "andartëve" kulturorë dhe po vrasin, presin e djegin vlerat historike-kulturore dhe identitare të shqiptarëve. Në një kontekst të tillë mbërrin në opinion edhe deklarata e italianit Zgarbi se Bylis është grek.
Mua nuk më bëri përshtypje gafa si nocion i shkëputur nga e tëra. Do të ishte normale të bëhej një gafë e tillë në një terren të tejngopur nga fantazmagoria e lashtësisë greke. Por me sa pashë, Zgarbi dukej i bindur, pasionant dhe misionar në atë që thoshte. Kjo konfirmohej më së qarti në një video të publikuar nga ai vetë ku agjitonte për Bylisin grek dhe kundër gazetarit "injorant".
Patosi i Zgarbit, më shumë se sa bindje shkencore e një studiuesi, ishte eksklamacioni i një "caro" deliranti. I ftuar nga qeveria e Shqipërisë dhe personalisht nga miku i vet personal tashmë i graduar Kalorës Orthodhoks, i pritur e përcjellë me temena si pasha nga kryebashkiaku i Vlorës, Zgarbi u përqëndrua vetëm në një "zbulim arkeologjik": që Bylis na qenkërka grek.
Efkaristo poli, caro!
©Alfons Zeneli











