Kolumnist

Pse hesht Ministri i Diasporës Pandeli Majko? - Nga Petrit Kuçana

Petrit Kuçana - Londër

Nëse nuk u sigurohet e drejta e votës emigrantëve shqiptarë në vendet ku jetojnë, në zgjedhjet e ardhshme, a do të mund të konsiderohet i dështuar misioni i Ministrit të Diasporës?

Kjo ishte pyetja që i drejtuam Ministrit të Shtetit për Diasporën (lexo Ministrit pa Portofol) kur u gjend në Londër, në shtegtimin e tij nëpër folezat migratore të shqiptarëve nëpër botë. Ai iu shmang kësaj pyetje, ndonëse pohoi disa të vërteta të tjera dhe të pranishmit në atë sallë e kujtojnë pohimin e tij se po ndjehej i turpëruar që aeroporti i Rinasit vazhdonte të ishte më i shtrenjti në rajon.

Krejtësisht befasueshëm na u servir, së fundmi, një peticion i iniciuar, siç thuhet nga KKD (Këshilli Koordinues i Diasporës), ku u kërkohet institucioneve të shtetit shqiptar që të pranojnë të drejtën e votës së diasporës në zgjedhje. Në të vërtetë nuk të befason më shumë teksti sesa iniciuesi i tij, madje edhe sesa forma e përzgjedhur.

Mbase në një kërkim të thjeshtë mund të gjenden shumë peticione të tilla nga diaspora, së paku prej 10 vitesh që nga ajo kohë, kur nuk ishte “në fuqi” Facebook-u (personalisht kam qenë promovues i tyre, e madje edhe hartuesi i së paku një peticioni për votën e diasporës. Na ishin njëherë peticionet).

Do të duhet optimizëm i pamatë për t’u bindur se çështja e votës së diasporës mund të zgjidhet me peticione…

Mbase nuk është shumë i rëndësishëm numri tmerrësisht simbolik i nënshkruesve të këtij peticioni, sesa mënyra që u zgjodh nga KKD për të adresuar këtë çështje.

Janë shumë pikëpyetje që ngrihen në gjithçkanë e parashtruar, e ndoshta për shumëkënd duhet rikthyer debati, qoftë edhe i vartësisë ose jo të KKD-së, i përzgjedhjes (pra caktimit-komandimit dhe jo zgjedhjes) me gjithë dritëhijet e përcaktimit si përfaqësim-përfaqësues.  (KKD nuk ka një email, ose emailin zyrtar nuk ua dërgojnë anëtarëve dhe në letrën tonë për shqiptarët e mbetur në kufi, në netët e ftohta të kapshticës, ua kemi dërguar nëpër emaile personale pasi nuk e kishin marrë nga emaili zyrtar)

Ndoshta ky peticion mund shikohet edhe si tendencë për të rezistuar, ndaj mosqasjes (për të mos thënë injorimit total) e deri mosnjohjes së tyre, si KKD, si organizëm i proklamuar deri në folklorizëm si “i pari në historinë e shtetit shqiptar për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve të larguar nga vendlindja”, qoftë edhe si instancë ndërmjetësimi.

Kaq absurde duket loja me votën e diasporës, sa po t’i referohemi Gjiknurit, bashkëkryetarit të zgjedhores, çështja e votës së diasporës do t’i kalojë KQZ-së (Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve).

Pra KQZ-ja do të përcaktojë modalitetet sesi do të votojë diaspora, sipas Gjiknurit, ndërkohë që sipas marrëveshjes, KQZ-ja do të shkrihet dhe do të ngrihen tre KQZ të tjera. As sqarimi më i vogël nuk është dhënë për këtë lojë që duket shumë e ligë. Opozita duket se ka zgjedhur të mos bzajë.

As ministri i linjës nuk është dëgjuar.

Vërtet si nuk pamë një prononcim të Majkos, Ministrit të Shtetit për Diasporën?

Pse hesht Pandali Majko?

Kjo do të ishte pyetja krejt normale që mund të shtohej prej gjithkujt, qofshin këta edhe anëtarë të KKD-së apo jo.

Majko s’mundet?

Vërtet, a do të votojë diaspora në zgjedhjet e ardhshme?

Pas marrëveshjes për “zgjedhoren” duket se nuk ka asnjë gjasë, për të mos thënë se gjasat janë kaq të vogla, sa çdo optimisti mund t’i presë hovin për çdo mundësi deliriumi.

Nëse i referohemi kryeministrit, ka dy rrugë për votën e diasporës. Ose do të bëhet, ose do të bëhet.

Nëse nuk arrihet e drejta e votës për diasporën, a ka më kuptim KKD, Ministria e Diasporës, me gjithë ngrehinat “diasporike” qofshin institucionale apo jo?!

Është çështje ndërgjegjeje e gjithsecilit prej anëtareve të KKD-së për të qenë pjesë ose jo e një organizmi që, siç duken bathët po shpërfillet (së paku)… ashtu siç ndoshta mund të shikohet me kuriozitet çdo “rezistencë” për njohje, si tentativë për përfaqësim apo qoftë shfajësim…

Mbase është koha edhe për Majkon që të mos heshtë më.

Imagjinoni nëse Majko do të deklaronte, se nëse nuk sigurohet e drejta e votës për diasporën, do ta rishikonte pozicionin e tij si ministër!

Cili peticion do të kishte barazvlerë me atë fjali?  Për këtë Ministrit Majko i duhet të tejkalojë buzëqeshjen.

Burimi: thealbanian.co.uk