Kolumnist

Çfarë do të ndodhë në 27 Qershor? - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Tashmë është bërë fakt që ftesës amerikane për takim, në 27 qershor në Washington, i janë përgjigjur pozitivisht si pala serbe ashtu edhe ajo kosovare.

Shqetësimet europiane të lenë të kuptosh se BE-ja (Gjermani-Francë) është anashkaluar, pra nuk do të jetë pjesë e këtyre “bisedimeve” dhe, natyrshëm, zgjidhja nuk do të jetë ajo që ato dëshirojnë.

Hapësira shqiptare, në Ballkan dhe diasporë, po shpreh dyshime, mosbesime dhe ankth, pa ditur se çfarë do të ndodhë realisht. Tirana zyrtare (E.Rama), që di diçka më shumë, hesht!

Çfarë do të ndodhë e kam thënë edhe në shkrime të tjera:

Ka një “marrëveshje xhentëlmenësh”, Trump-Putin, për shkrirjen e “konflikteve të ngrira”, pra për disa territore që, figurativisht, mund të konsiderohen si “ndërtime pa lejë”, që presin ose të prishen ose të legalizohen, të tilla si Ossetia e Abkhazia (Gjeorgji), Transnistria (Moldavi), Luhansku, Donetsku e Krimea (Ukrainë) dhe Kosova (Serbi). Mesa duket eksperimenti për zgjidhjen e tyre do të fillojë me Kosovën.

Nuk do të ketë bisedime por nënshkrime. Nuk do të ketë ujdi por imponime. Nuk do të ketë të kënaqur por të buzëqeshur shtirshëm.

Kjo është diplomacia anglo-saksone që quhet kompromis. Palës më të dobët i vihet mbi samar barra më e rëndë!

Kjo “marrëveshje” do t’i ngjajë asaj të Tiranës për “Reformën” zgjedhore, e shkruar në anglisht dhe e firmosur në ambasadë.

Ne shqiptarët, kudo ku ndodhemi, s’kemi pse ankohemi. Në peshore çdo gur ndikon me peshën e vet!

©Klodi Stralla