Kolumnist

Situata e re dhe impakti politik pas akuzave të Hagës ndaj Thaçit - Nga Afrim Krasniqi

Vendimi i papritur e dobëson nismën amerikane për dialogun politik Prishtinë Beograd, dobëson përfaqësimin politik të Kosovës dhe dëmton imazhin dhe pozitën e saj ndërkombëtare. Për të kuptuar nëse ka një lidhje me bisedimet, do të duhet të pritet reagimi i BE dhe takimi i 27 qershorit.

I qartë mbetet fakti se Kosova nuk është viktimë e ndonjë skenari ndërkombëtar dhe teori të tilla vetëm sa e pengojnë aftësinë e saj për të kapërcyer me sa më pak kosto krizën e radhës. Nga ana tjetër, deklarimet në unison për pafajësi në Prishtinë e Tiranë nuk kanë sens dhe janë konsum i parëndësishëm ditor brenda hapësirës shqiptare, sepse nuk kemi të bëjmë me individë të zakonshëm të akuzuar, por me individë që përfaqësojnë shtetin e Kosovës, me President, me një prej liderëve kryesorë të opozitës si më parë edhe me ish-kryeministrin. Para se Tirana zyrtare të shkruajë shënime patetike në Facebook apo Twitter bën mirë të investohet në kanalet diplomatike perëndimore për të minimizuar impakti negativ që zhvillimi i ri i sjell Kosovës dhe faktorit shqiptar në rajon.

Derisa vendimi final të merret Kosova, mbetet peng i procesit të Hagës dhe Presidenti e çdo politikan tjetër do të duhet të marrin në konsideratë mundësinë të ndjekin precedentin Haradinaj, duke ndihmuar së paku Kosovën që të ketë një President sa më funksional dhe me kredenciale shtetërore sa më të larta përfaqësimi. Nga ana tjetër, faktori politik në Prishtinë, sidomos qeveria dhe kryeministri, do të duhet ta kompensojnë impaktin negativ dhe krizën e momentit me një konsensus sa më të gjerë politik në procesin e dialogut me Serbinë dhe me transparencë maksimale. Tradita ballkanike tregon se liderët ushtarakë mitizohen kur akuzohen nga gjykatat ndërkombëtare dhe se në raste të tilla zërat nacionalistë bëhen më dominues sesa ata realistë apo liberal. Kosova nuk përbën përjashtim!

Eksperimenti i kalimit të komandantëve të luftës në liderë politikë civilë rezultoi se nuk ka qenë i suksesshëm, madje në disa raste kyçe të jetës shtetërore është kthyer në pengesë për progresin e vendit. Është koha që Kosova të përballet me një realitet të ri, të ketë një qasje të re ndaj dialogut dhe përfaqësimit politik, të investohet më shumë në lidhjet perëndimore sesa në konfliktet e brendshme politike, si dhe të mundësojë hapësira reale për prurje e gjenerata të reja të post-luftës në sistemin politik e qeverisës.

©Afrim Krasniqi