Kolumnist

Vallja e Macron me Putin - Nga Enver Robelli

Enver Robelli

Të premten pasdite presidenti francez Emmanuel Macron ka diskutuar më shumë se dy orë me presidentin rus, Vladimir Putin. Televizioni propagandistik rus RT ka postuar në rrjetet sociale një video ku dokumentohen 15 minutat e para të bisedës. Macron dhe Putin lënë përshtypjen se janë miq të mirë. Njëri-tjetrit i drejtohen me “ti”. Macron tha se dëshiron një “dialog mirëbesimi dhe mbi sigurinë” me Rusinë. Qëllimi, sipas komunikatës së zyrës së Macro-nit, është një arkitekturë europiane e sigurisë “nga Lisbona në Vladivostok”. Ky formulim është një referencë e parullës së Charles de Gaulle mbi Europën nga “Atlantiku në Ural”.

Macron i premtoi Putin-it se do ta vizitojë Moskën deri në fund të Gushtit. Në komunikatën e Pallatit Elysée nuk tregohet nëse Macron para se të flasë me Putin-in ka biseduar me partnerët europianë, sidomos ata të pjesës lindore. Veçanërisht polakët janë të shqetësuar me vallen e Macron-it me Putin-in. Macron edhe më herët ka theksuar se dëshiron një dialog me Rusinë mbi “mirëbesimin dhe sigurinë” dhe kjo deklaratë e tij ishte parë me shqetësim nga partnerët në NATO, të cilët e akuzojnë Macron-in për mungesë solidariteti mes europianëve. Macron të hënën do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e quan bisedën e Macron-it me Putin-in një përpjekje për vardisje në një kohë kur Gjermania ka dhënë sinjale ashpërsimi të raporteve me Rusinë. Para 10 ditësh Prokuroria Federale Gjermane ngriti aktakuzë kundër një shtetasi rus për shkak të një vrasjeje në Berlin me porosi të qeverisë ruse. Kancelarja Angela Merkel, e vetmja lidere europiane që flet rusisht dhe e njeh thellësisht historinë, kulturën dhe letërsinë ruse, u shpreh e mllefosur ndaj një sulmi kibernetik rus kundër parlamentit gjerman. Merkel tha gjatë fundjavës se model i veprimeve ruse është “lufta hibride si mjet i destabilizimit”.

Më parë drejtësia gjermane lëshoi fletarrest kundër shtetasit rus Dmitrij Badin, i njohur si ushtar rus dhe autor sulmesh kibernetike kundër shteteve të tjera (dhe kundër Partisë Demokratike në SHBA para se Donald Trump të zgjidhej president). BE sapo i ka vazhduar sanksionet kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainën lindore.

©Enver Robelli