Kolumnist

Mbajini politikanët larg protestave!

Nga: Arben Kallamata

Një protestë që udhëhiqet nga forca politike nuk është popullore, por politike. Nëqëftëse doni që protesta të ketë legjitimitet largoni politikanët.

Ata kanë vetëm një qëllim në kokë - të marrin pushtetin, të zëvendësojnë ata që kanë pushtetin me veten e tyre.

Qëllimi i protestës suaj, sado i drejtë dhe fisnik të jetë, nuk iu intereson aspak, pavarësisht se hiqen sikur iu çahet zemra për ju.

Ju protestoni për çmimin e energjisë, ata kërkojnë pushtetin; ju protestoni për firmat piramidale, ata duan pushtetin; ju protestoni për taksën e rrugës, ata ëndërrojnë pushtetin; ju protestoni për korrupsionin, atyre iu lëshon goja lëng për pushtetin; ju protestoni për papunësinë, për ujin e pijshëm, për kriminalitetin, për të ardhmen e pasigurt të fëmijëve tuaj – atyre po aty iu rreh, te pushteti.

Gjeni një protestë popullore që nuk është vjedhur, nuk është përvetësuar, nuk është përdhunuar, nuk është transformuar, nuk është shfrytëzuar dhe përdhosur deri në neveri nga politikanët.

Nëse s’gjeni dot dhe nëse keni një fije kurajoje qytetare, ngrini zërin që politikanët t'i mbajnë duart larg protestave.