Kolumnist

Fakte Alternative dhe e Djathta Alternative - Nga Arben Kallamata

Fakte alternative (përkthimi shqip: të vërteta ndryshe) është një shprehje që tashmë ka hyrë në fjalorin e përditshëm politik në Shtetet e Bashkuara. Ajo është përdorur për herë të parë në 22 Janar 2017 nga Këshilltarja e Presidentit Amerikan Kellyanne Conway gjatë një interviste për emisionin “Takim me Shtypin” (Meet the Press) të rrjetit televiziv NBC. Gjatë intervistës, gazetari i njohur Chuck Todd i kërkoi Conway-t të shpjegonte se si mund t’i lejohej Sekretarit të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer të gënjente haptazi në takimin me gazetarët për gjëra që ishin lehtë të verifikueshme. Një Sekretar Shtypi nuk mund të dalë kundër fakteve. Conway u përgjegj duke thënë që Spenseri nuk kishte gënjyer. Thjesht kishte dhënë “fakte alternative”. Chuck Todd e kundërshtoi aty për aty: “Dëgjo, faktet alternative nuk janë fakte. Ato janë thjesht gënjeshtra.” Conway nuk u përgjigj.

Përdorimi i shprehjes “fakte alternative” për të mbuluar gënjeshtra që mund të kundërshtohen fare lehtë me fakte u prit me humor nga media në Shtetet e Bashkuara. Gazetarë prestigjozë si Dan Rather dhe Jill Abramson e cilësuan shprehjen tipike orwelliane, duke e lidhur veçanërisht me termin “doublethink” (dymendim). Me interes është fakti që pas këtij cilësimi, shitja e “1984” të Orwellit u rrit 95 herë brenda katër ditëve, duke e ngjitur atë në krye të listës së librave më të blerë në Amazon.com.

Më pas Conway u përpoq ta përkufizonte “fakte alternative” si “fakte shtesë dhe informacion alternativ.”

E Djathta Alternative, Alternative Right ose shkurt Alt-Right është një lëvizje jo shumë e përqëndruar e të djathtës ekstreme të nacionalistëve të bardhë amerikanë. Në grupet që e quajnë veten pjesë të alt-right hyjnë nacionalistët e bardhë, supremacistët e bardhë, separatistët e bardhë, populistët e djathtë, racistët, anti-komunistët, anti-zionistët, anti-imigrantët, mohuesit e holokaustit, ksenofobët, anti-semitët, anti-feministët, homofobët dhe islamofobët. Lëvizja është kryesisht dukuri interneti që e ka origjinën në fillim të viteve 2010 në SHBA por që është përhapur edhe në vende të tjerë të botës.

Termi Alt-Right është përdorur për herë të parë nga i vetëquajturi filozof paleokonservativ Paul Gottfried në 2008 në fjalimin e titulluar “Rënia dhe ngritja e të Djathtës Alternative”. Shprehja u përvetësua shpejt nga Richard Spencer, President i Institutit të Politikës Kombëtare dhe themelues i lëvizjes E Djathta Alternative. Spencer, Neo-Nazisti më i njohur amerikan e pa termin më se të përshtatshëm për të maskuar fytyrën e vërtetë të organizatës që ai drejton dhe për ta bërë më tërheqëse për të rekrutuar anëtarë të rinj.

Ndër të tjera Richard Spenser kërkon kthimin e Bashkimit Europian në një perandori të bardhë raciste dhe krijimin e një shteti etnikisht të bardhë në Amerikën e Veriut. Atij i është ndaluar hyrja në shumë vende të Europës. Spencer njihet edhe për mbështetjen ndaj dhunës kundër gjithkujt që s’është i bardhë. Ai ka dalë haptaz në mbrojtje të skllavërimit të haitianëve nga të bardhët, pastrimit etnik të minoriteteve raciale nga Shtetet e Bashkuara, si edhe pastrimin etnik të turqve nga Anadolli.

Një ndër burimet informative të lëvizjes Alt-Right është portali Breitbart News. Richard Spenser e ka quajtur Breitbart “porta e madhe drejt ideve dhe shkrimtarëve të Alt-Right”. Breitbart është krijesë e konservatorit Andrew Breitbart në vitin 2005, që pas vdekjes së tij në 2012 ra në duart e Steve Bannon i cili i dha një drejtim më agresiv nga e djathta ekstreme. Vetë Bannon e ka quajtur Breitbart “platformë për alt-right” (2016, intervistë për Mother Jones).

(Të dhënat janë marrë nga Wikipedia)