Kolumnist

Kundër deformimit të historisë së Kosovës - Nga Enver Robelli

Për 1267 ditë në zyrën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka gënjyer, mashtruar apo ka ngritur pretendime të pasakta në 20,055 raste. Pra, njëzet mijë e pesëdhjetë e pesë raste! Në një webfaqe të posaçme gazeta "Washington Post" numëron pandërprerë të pavërtetat e Trumpit çdo ditë. Me gënjeshtrat e tij Trumpi ndjek një strategji: lodhjen dhe paralizimin e publikut. Qëllimi është që njerëzit t’i shohin mashtrimin dhe rrenën si diçka normale. Pra, normalizimi i neverisë.

Kundërshtare të ngrehinës së rrenave janë mediat serioze amerikane. Steve Bannon, i cili më 2016 ia hapi rrugën Trumpit për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë mbi strategjinë e tij: "The real opposition is the media. And the way to deal with them is to flood the zone with shit", pra kundërshtari i vërtetë janë mediat dhe rruga më e mirë për t'i menaxhuar ato është t'i mbulosh me m...

Mediumi i Trumpit është Twitteri, ku e përcjellin mbi 86 milionë njerëz. Deri më tani në Twitter ai ka hedhur 55 mijë tweet. Sharje, britma, rrena, kërcënime, mburrje, vetëlavdërime, parulla, slogane, fyerje kundërshtarësh dhe kërcënim aleatësh. Twitteri është revolveri i tij. 250 shkronja, secila shkronjë një shigjetë me helm.

Ministri i Jashtëm, Rex Tillerson, e ka quajtur Trumpin "një hajvan të mallkuar", të tjerët e kanë quajtur "idiot", ministri i Mbrojtjes, James Mattis, ka deklaruar se komandanti suprem Trump e ka nivelin e mençurisë të një nxënësi të klasës së gjashtë apo shtatë. Mençurinë Trumpi e kompenson me narcizëm. Tillerson dhe Mattis nuk janë qëmoti anëtarë të kabinetit të Trumpit.

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" shkruante së fundi se Trumpit i mungon totalisht të menduarit strategjik, ai nuk e di se çka është trajtimi i një problemi nga aspekti historik, kompasi moral i ka humbur po aq sa edhe aftësia që të dallojë gjërat komplekse dhe të shmangë radikalizmin. Trumpi nuk qeveris Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Shtetet e Përçara të Amerikës.

Rendin botëror të cilin Amerika e ka ndërtuar pas vitit 1945, Trumpi është duke e hedhur në shportën e plehërave. Tallet me liderët evropianë, lavdëron autokratin rus dhe diktatorit koreanoverior i shpall pothuaj dashuri. Gjatë mandatit të tij Trumpi zëvendësoi më shumë se 90 për qind të bashkëpunëtorëve të ngushtë. Disa gjenden nën hetime, ish-këshilltari i tij, Steve Bannon, është burgosur, por pasi ka paguar një kaucion po mbrohet në liri.

Publicisti legjendar Bob Woodward në librin e tij të ri "Rage" citon dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, i cili thotë se mënyra më e mirë për të kuptuar Trumpin është të lexosh librin për fëmijë "Liza në botën e çudirave". Në këtë libër gjendet citati: "Nëse nuk e di nga je duke shkuar, atëherë çdo rrugë do të të çojë aty". Por ku?

Një shembull se si Trumpi e deformon historinë për interesa e hesape të tij elektorale është fjalimi i tij në fundjavë në Karolinën Veriore, ku para përkrahësve të tij u mor edhe me Kosovën (dhe Serbinë). Ai tha se administrata e tij është duke i ndalur "vrasjet masive" mes Kosovës dhe Serbisë. "Po i ndalim vrasjet masive mes Kosovës dhe Serbisë. Ata janë duke u vrarë mes vete për aq shumë vjet", tha ai, ndërsa turma brohoriste. Trumpi shtoi: “Ndalni vrasjet”, iu thashë. “Miq të bëhemi së bashku”. Do të ishte interesant të dihet nëse Trumpi këto fjalë ua ka thënë kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.

Qëllimi i fjalimit të Trumpit ishte të kritikojë administratat e mëparshme për mënyrën se si e kanë drejtuar politikën e jashtme. Manipulimi i fakteve është metodë e Trumpit. S'ka lidhje që lufta në Kosovë ka përfunduar para dy dekadave. S'ka lidhje që ndërkohë Kosova ka shpallur Pavarësinë. S'ka lidhje që në Kosovën ku Trumpi qenka duke i ndalur "vrasjet masive", kompania amerikane “Bechtel” ka ndërtuar dy autostrada super të shtrenjta, por punën nuk e ka ndërprerë asnjë ditë për shkak "të vrasjeve masive". Këto janë "detaje", krejt jorelevante për Trumpin. Për Kosovën gjithsesi nuk janë detaje, por çështje relevante. Sepse këtu bëhet fjalë për deformim të historisë. Si erdhi puna deri këtu?

Politika e "mençur" kosovare e ka futur presidentin e Serbisë te presidenti i SHBA në Shtëpinë e Bardhë. Këtë shans qe 20 vjet nuk e ka pasur asnjë president serb. Për Beogradin ky është një shans për të plasuar rrena e propagandë dhe për të manipuluar historinë. Për fat të keq, ambienti në Shtëpinë e Bardhë është i tillë, saqë ekziston rreziku që rrenat të zënë vend. Për shembull: i dërguari i presidentit amerikan (R. Grenell) thotë se nuk merret me gjëra simbolike (si njohja e Kosovës nga Serbia). Për të mund të jetë simbolikë, për 95 për qind të banorëve të Kosovës nuk është. Kur presidenti i SHBA-së, një njeri që shkëlqen me cektësi, thotë se i ka ndalur vrasjet masive mes Serbisë dhe Kosovës, ai bën një barazim të paqëndrueshëm krimesh. Nuk ka Batajnicë kosovare.

Të dy, presidenti dhe i dërguari i tij, thonë se me problemin e Kosovës nuk është marrë askush qe 21 vjet. Tash problemin do ta zgjidhin këta dy gjenitë. Kjo gjuhë e tyre sugjeron që problemi s'qenka zgjidhur më 2008, me shpalljen e Pavarësisë. Nëse thuhet se problemi fillon para 21 vitesh, kjo gjuhë është e rrezikshme, sepse zgjidhja e problemit ka filluar me ndërhyrjen e NATO-s.

Amerika ka luajtur rol vendimtar në luftën për çlirimin e Kosovës. Kjo është e vërtetë. Amerika ka luajtur rol kyç në përgatitjen dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Edhe kjo është e vërtetë. Simpatia e mirënjohja për SHBA-në në mesin e popullsisë shqiptare të Kosovës është pothuaj mitike. Por kjo nuk domethënë që politikanët dhe opinioni i Kosovës të heshtin kur presidenti amerikan, për hesape të tij elektorale, flet marrëzira dhe deformon historinë e Kosovës.

©KOHA