Kolumnist

Si po e ndihmon Richard Grenell manipulimin e historisë së Kosovës - Nga Enver Robelli

Propagandistja serbomadhe Tiana Lowe shkruan, Grenelli shpërndan (dhe servilët symbyllur shqiptarë brohorasin si i marri në pazar)!?

Tiana Lowe është një "gazetare" amerikane. Shkruan për një fletushkë propagandistike të Washingtonit. Tiana Lowe është "eksperte" për Ballkan. Sidomos për Kosovën. Ajo në Twitter shkruan: Krimi më i madh i Bill Clintonit nuk ka qenë degradimi i Zyrës Ovale dhe pengimi i drejtësisë. Sipas Lowe krimi më i madh i Clintonit paskësh qenë fushata për të bombarduar Serbinë duke shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe duke gënjyer dy dekada me radhë mbi intervenimin kundër Serbisë. Sipas Lowe NATO vrau 500 civilë serbë duke bombarduar Beogradin dhe shkatërrroi Radiotelevizionin e Serbisë (RTS).

Lowe vazhdon: pas "çlirimit" të Kosovës (thonjëzat janë të Lowe) Kosova dëboi mbi 200 mijë serbë dhe minoritarë të tjerë, vrau qindra. Në pogromin antiserb të vitit 2004 u përzunë mijëra, u dogjën qindra shtëpi e kisha dhe u vranë dhjetëra njerëz. Tani Lowe ka nisur të merret me historinë e Ballkanit: në Twitter ajo ka shkruar se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë daton me shekuj. Beteja e Kosovës mes serbëve dhe kolonistëve pushtues osmanë u zhvillua më 1389. Andaj t'i quash monumentale përparimet e arritura muajve të fundit është pak, pra Trumpit i qofshim falë.

Ky është postimi i Lowe dhe pikërisht këtë postim për "historinë" e ka shpërndarë Richard Grenelli në profilin e tij në Twitter. Është manipulim i historisë dhe në këtë manipulim merr pjesë Grenelli bashkë me Lowe. Kjo e fundit për interesa serbomëdha, Grenelli për interesa elektorale dhe urrejtëse kundër demokratëve. Pra, Kosova tash është vetëm top loje për deformim të historisë. Andaj lejohet çdo gjë. Edhe rrena se më 1389 shqiptarët nuk kanë ekzistuar fare në Kosovë, edhe sugjerimi perfid se shqiptarët mund të kenë ardhur në Kosovë bashkë me pushtuesit osmanë.

Servilët symbyllur shqiptarë janë të gatshëm t'i brohorasin edhe kësaj propagande, kinse në emër të "proamerikanizmit". Historianët seriozë e kanë shpjeguar moti se Beteja e Kosovës e vitit 1389 ka qenë një luftë e popujve ballkanikë kundër osmanëve. Historianët seriozë po ashtu kanë theksuar se më e rëndësishme se beteja e vitit 1389, është Beteja e Dytë e Fushë Kosovës, ajo e vitit 1448, në hungarisht e njohur si "második rigómezei csata", në turqisht: "İkinci Kosova muharebesi".

Në atë betejë hungarezët, shqiptarët dhe të tjerët që luftuan kundër osmanëve - nuk u përkrahën nga serbët. Kështu u vulos sundimi osman në Ballkan. Gjëra të ndërlikuara janë këto për Grenellin, ndërsa për manipulatoren Tiana Lowe dhe për servilët shqiptarë të paaftë të mendojnë me kokën e tyre nuk duhet humbur shumë fjalë. Bota e tyre është tribuna për të bërtitur dhe nxjerrë shkumë për goje.

©Enver Robelli