Luftëtarët e lirisë në Kosovë burgosen e serbët festojnë bashkë me Grenell - Nga Agim Aliçkaj
Ndërsa Ambasadori Grenell feston në Beograd, kriminelët serbë të luftes sillen lirshëm nëpër Serbi, Bosnje dhe vende të tjera, ndërsa në Kosovë burgosen luftëtarët e lirisë. Çfarë padrejtësie, çfarë deshtimi i qeverisjes së deritanishme!
Delegacioni i lartë Amerikan me në krye Grenell për ta “përforcuar” marrëveshjen e konsolidimit të Serbisë në kurriz të Kosovës, kaloi turravrap nëpër Prishtinë për në Beograd, ku u hap Zyra e Investimeve me udhëheqës serbo-amerikanin John Jankoviç.
Pritet që kjo zyrë “ta ndihmojë shumë” Kosovën. Kjo “arritje e madhe” u festua në mënyrë madhështore me kengë amerikane për Alabama dhe serbe për marshin në Drin, kenduar sëbashkë nga te pranishmit. Ndjehej shumë mungesa e Thaçit, Ramës, Mustafës dhe Hotit.
Grenell e përcolli entuziazmin e tij në Twitter. Komenti im drejtuar atij me njoftim Presidentit Trump dhe Nën/Presidentit Pence: “Është e çuditshme të shohësh një zyrtar të lartë amerikan, i cili pas marrjes së Medaljes për merita nga politikani i korruptuar Thaçi, feston me ish-ministrin e informatave të Milosheviçit, shovinistin e dalluar Vuçiç. Kaq shumë sa për vlerat dhe interesat amerikane”.
Është interesant se, në të njejtën kohë Kryeministri Hoti dhe përkrahësit e tij po ashtu po festojnë. Nuk e çajnë kokën për burgosjet e luftarëve të lirisë. Nuk e kuptojnë se agresori, shteti kriminal serb po rehabilitohet ndërsa viktima, shteti i Kosovës po njolloset dhe gjykohet. Po bëjnë dasëm pa nuse duke u munduar t’a bindin popullin t’i bashkangjitet dasmes, “se nusja po vjen”!?
Gënjejnë se bisedimet e tyre do të sjellin njohjen nga Serbia, se Amerika ua ka premtuar këtë gjë. Përhapin dezinformata se kinse Amerika do ti heqë vizat shpejt për shtetasit e Kosovës. Fryhen me kryenaltësi se me veprimet e tyre nënshtruese, Kosovës po i hapen dyert në Amerikë e kudo. Nuk ka dyshim se nëse vazhdojnë kështu do të hapen dyert për ta edhe në Beograd, Moske dhe Pekin. Por çmimi për këtë do të jetë shumë i lartë, Kosova mund të mbetet me territor sa livadhet e Sadik Ramëve të Carrabregut.
Për Grenell dhe disa zyrtarë të tjerë të Administratës Trump kjo nuk ka rëndësi fare, nëse palët merren vesh mes veti. Për politikanët e korruptuar të Kosovës kjo mjafton, përderisa ata mbetën në qeverisje dhe livadhet iu nxjerrin mjaft të kullosin. Kosova nuk bën ta pranojë këtë shkatërrim të shtetit kurrë!
Është shkruar e folur shumë për marrëveshjen e Washingtonit. Thënë shkurt, nuk ka asgjë të mirë për Kosovën dhe asgjë të keqe për Serbinë. Kjo u organizua dhe realizua me shumë sukses nga ambasadori Grenell kryekëput për interesa të fushatës zgjedhore të Presidentit Trump dhe atyre karrieriste të tij. Vetëm njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, e cila nuk kishte të bëjë asgjë me marrëveshjen dhe u shfrytëzua më shumë për interesa të Izraelit dhe Administratës Trump, ishte për Kosovën e mirë dhe shumë e rëndësishme. Ndikoi sadopak edhe në qetësimin e shqiptarëve pas nënçmimeve, nënshtrimeve dhe dështimeve katastrofale në bisedime.
Nëse Serbia do të orientohej kah Perëndimi, kjo marrëveshje do të ishte shumë e vlefshme për te, dominimin e saj në Ballkan dhe realizimin e ëndërrës së saj shekullore për dalje në det nëpërmjet tokave shqiptare. Por e ka vështirë të shkëputet plotësisht nga Rusia, Kina, Irani dhe shtete të tjera anti-amerikane dhe anti-izraelite. Varet sa do t’ia lëshojë lakun vëllau i madh, kamarad Putini. Shanset janë të mëdha se Serbia do ta thyejë këtë marrëveshje e shenjat kanë filluar. Sidoqoftë, meqë konflikti me Serbinë është politik, për shkak të sjelljeve armiqësore dhe destruktive të saj, kjo marrëveshje për “normalizim ekonomik” mund të bjerë poshtë menjëherë pas zgjedhjeve amerikane, pavarësisht kush i fiton ato. Këte e di fare mirë edhe Grenell, por atij aq i bën.
Serbia nuk do e njohë kurrë pavarësinë e Kosovës me lutje dhe bisedime. Për ta detyruar duhet një grusht i fortë siç e dëshironte poeti i madh Migjeni. Serbisë i duhen thyer dhembët dhe s’ka tjetër. Kërkesat për kompromis të mëtejshëm të Kosovës, pas kompromiseve maksimale të bëra me planin e Ahtisaarit janë sa të padrejta dhe të papranueshme. Nëse Amerika dhe Evropa në emër të drejtësisë dhe ardhëmerisë evropiane, nuk janë të gatshme për t’i bërë presion të mjaftueshëm Serbisë për ta njohur Kosovën në kufijtë ekzistues pa asociacione shkatërrimtare serbe, këtë duhet të bëjë vetë Kosova dhe mbarë kombi shqiptar.
Ne e fituam luftën kundër Serbisë në vitin 1999. Ani se na ndihmoi Amerika (NATO). Gati asnjë popull nuk e ka fituar lirinë pa ndihmën e dikujt. Edhe Skenderbeu e ndihmoi mbretërinë e Napolit të lirohet nga okupimi francez, si dhe e mbrojti Evropën nga Perandoria Osmane për 25 vjet. Ata që na ndihmuan ta fitojmë lirinë nuk kanë të drejtë dhe nuk mund të na e marrin. Nuk bën të lejohet që gjaku i mijëra burrave, grave e femijëve të pafajshëm të shkojë kot. Nuk shkelet gjaku dhe amaneti i luftëtarëve të lirisë.
Kosova mund të shpëtojë dhe ta marrë të mbarën vetëm me zgjedhje të lira. Duhet legjitimitet i plotë për të qeverisur mirë, për ta luftuar seriozisht korrupsionin, për ta zhvilluar ekonomikisht dhe forcuar shtetin tone të dashur, Republikën e Kosovës dhe për ta realizuar bashkimin kombëtar. Duhen forca të reja politike, duhen ndryshime! Populli shumicë është i lodhur nga premtimet dhe mashtrimet e pafund.
Luftrat në Ballkan kanë përfunduar përgjithmonë. Kot armatoset Serbia nga Rusia dhe Kina. Ka ardhur koha për metoda tjera të mbrojtjes nga armiku katil, shovinist dhe hegjemonist serb. Më shumë se 12 milion shqiptarë në trojet etnike dhe mbarë botën, me diasporë të fuqishme janë më të fortë se Serbia. Gishtat i kemi, duhet t’i bëjmë grusht të fortë dhe ta godasim armikun mu në zemër. E drejta është në anën tone. E forta, e dashura dhe e veçanta Amerikë do të kthehet prapë nga ne, nga e drejta e popullit shqiptar për të ekzistuar në paqe në tokat e veta shekullore. Fitorja varet nga ne dhe është e jona!
Autori është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës.
©Agim Aliçkaj










