Kolumnist

Do zgjidhet ai që amerikanët meritojnë! - Nga Taulant Dedja

Taulant Dedja - Montréal

A po degradon USA? Si për çdo perandori përgjatë historisë së njerëzimit, a është ky fillimi i fundit? Pyetje që më lindën pas debatit të parë Trump-Biden.

Shteti më i fuqishëm në botë, sipas meje, ofroi sot një përballje mes dy personave të moshës së tretë (të më ndjeni, përdorja e këtij kategorizimi nuk ka lidhje me paragjykime moshore) me nivel etike komunikimi shumë të ulët nga të dy palët. 

Dy burra afër të 80-tave që ofendojnë njeri-tjetrin në publik para miliona shikuesve është për të qarë hallin. Në Kanada, për një fjalë të pakontrolluar në adresë të cilitdo, politikanët kërkojnë ndjesë publike menjëherë.

Në këtë rast nuk po merrem me përmbajtjen e dobët të debatit (nivel bazik intelektualo-kulturor) ku mbizotëronte stili “kush je ti, kush jam unë, jam krenar që etj, etj.”

Dhe kulmi ishte që debati u mbyll me çështjen do vidhen apo nuk do vidhen votat!? Çfarë leksioni ishte ky për qytetarët e vendeve me deficit të madh demokracie si fjala bie Shqipëria?

Dhe e fundit, sipas meje, nuk duhet të ketë njerëz që mbajnë poste politike dhe ekzekutive mbi moshën normale të pensionit. Fqinji ynë gjithashtu ka se ç'të mësojë (në vend se të mendojë për tarifa importi) nga kultura e debatit politik kanadez.

Në 14 vjet nuk kam dëgjuar kurrë që një politikan kanadez ta cilësojë kundërshtarin si i rrjedhur nga trutë, si kloun apo si gënjeshtar. Në Kanada arroganca dhe politika janë të papajtueshme.

Zoti e bekoftë Kanadanë! Zoti e shpëtoftë USA!

Këto ishin disa reflektime të shpejta të një shqiptaro-kanadezi, për të cilin është e huaj idolatria (të vetmin idhull që kam ai është im atë) që kurrë nuk është "marrosur" pas Amerikës, e cila siç ka thënë një politikan i njohur, nuk ka miq, por ka vetëm partnerë interesi!

Në pritje të debatit tjetër dhe me shpresën e palekundur që historia traumatike kovidiane do fashitet si me magji pas 3 Nëntorit 2020!

Cilido të zgjidhet, do jetë ai që amerikanët meritojnë!

©Taulant Dedja