Kolumnist

Propaganda e qullët e LDK - Nga Enver Robelli

Po thonë “qeveria Hoti” i ujdisi, i ndreqi raportet me “partnerët ndërkombëtarë”. Kjo është një gënjeshtër e madhe. Kjo qeveri krejt çka ka bërë është nënshkrimi i një marrëveshjeje me 16 pika për “hatër të Grenellit”, ku Kosova “obligohet” të mbrojë homoseksualët edhe në Iran (pakkush është tallur kështu me homoseksualët) dhe Hezbollahu shpallet organizatë terroriste. Do të ishte konseguente nëse marrëveshjes në ditët në vijim i shtohet edhe pika e 17-të: “Shesim suxhukë”. Pikat e tjera të marrëveshjes janë shpallje synimesh pa plan konkret.

Po marrëdhëniet me partnerët e tjerë perëndimorë? Janë përmirësuar raportet me Berlinin? Me Londrën? Me kryeqytete të tjera? Jo. A merret seriozisht qeveria e Kosovës në Bruksel? Jo. Sepse një qeveri merret seriozisht kur ka shumicë solide dhe ekip solid. Me qeverinë e kaluar (ndonëse jetëshkurtër) për herë të parë nga viti 2008 qeveria e Spanjës vendosi kontaktin e parë.

Nga ana tjetër propaganda e qullët e LDK mundohet të mashtrojë duke i interpretuar mesazhet telefonike të Grenellit si “ndërtim partneriteti”, por faktet janë këto: Kosova me naivitet ia hapi rrugën Serbisë për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, udhëheqës të republikanëve për herë të parë e akuzuan kandidatin demokrat Joe Biden për bombardimin e Beogradit, presidenti Donald Trump e rishkroi historinë e Kosovës sipas mendjes së tij elektorale: janë atje diku në Ballkanin e humbur dy fise, ata vrasin njëri-tjetrin, kanë probleme të ndryshme, edhe fetare.

Përgjegjësinë për këtë katastrofë diplomatike të Kosovës e bartin udhëheqësit pa vota të LDK-së. Është në interesin e qytetarëve të Kosovës që sa më shpejt të shpallen zgjedhje të reja parlamentare. Vetëm vullneti i ri qytetar i jep legjitimitet një udhëheqjeje të re politike që do të ketë mandat për të negociuar ose mos negociuar fare me Serbinë.

Fundja, pse ky fokusim e fiksim se Kosovës i duhet patjetër një “marrëveshje me Serbinë”. Këtë “marrëveshje” me çdo çmim dhe në kurriz të Kosovës e kanë synuar ata politikanë që në planin e brendshëm kanë vjedhur e në planin e jashtëm kanë tentuar të jenë partnerë të pashmangshëm, në mënyrë që të shpëtojnë lëkurën e tyre nga drejtësia.

LDK ka qenë pjesë e këtij projekti që në thelb e ka dëmtuar Kosovën. Projekti madhor kosovar është krijimi i shtetit funksional, luftimi i krimit e korrupsionit, zhvillimi i ekonomisë. Të gjitha këto mund të bëhen pa folur fare me Serbinë. Kur Serbia të jetë e gatshme për të pranuar Kosovën, pse jo, flasim, flasim, flasim. Deri atëherë Serbia, po pati hesap, le t'i manipulojë e instrumentalizojë serbët e Kosovës, por kështu ata e djegin të ardhmen e tyre në këtë vend.

©Enver Robelli