Kolumnist

Duke e vjedhur Kosovën ndjellim edhe kthimin e Serbisë - Enver Robelli

Çka arriti kjo klasë politike e Kosovës për 10 vjet dialog? Së pari i krijoi rrethanat për themelimin e një “Republike Serbe” brenda Kosovës. Pastaj i nxorri në pazar kufijtë e Kosovës. Për Serbinë, si humbëse e konfliktit, këto janë dy shanse për t’u kthyer si faktor në dizajnimin e shtetit të Kosovës sipas interesave të Beogradit: nëse nuk lejohet ndarja, e bëjmë “Republikën Serbe” brenda Kosovës. Ky është projekti i tanishëm.

Ndarja tani për tani duket se ka dështuar si projekt, por tash Kosovës i ofrohet shishja me helm, që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa ia kanë sjellë Kosovës nga Brukseli: Asociacioni i komunave serbe. Serbia nuk është e interesuar të themelojë organizata joqeveritare në Kosovë. Serbia kërkon të jetë bashkëqeverisëse përmes Listës Serbe dhe Asociacionit të komunave serbe. Dhe këtë rrugë Beogradit ia kanë hapur partitë që kanë sunduar nga viti 2010 (PDK dhe LDK).

Pse është me rëndësi të përmendet viti 2010? Sepse atëherë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi pavarësinë e Kosovës, ndërsa klasa politike kosovare hyri në një proces pa plan, pa ide, pa qëndrime të qarta, hyri në negociata për të mbetur faktor i pazëvendësueshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Dhe si mbetesh faktor? Duke lëshuar pe, e bërë koncesione të pandërprera, pastaj kur premtimet e BE-së dalin gënjeshtra, ngutet shefi i partisë që nga arkat e tij në mal të nxjerrë një dokument dhe si dashnor i tradhëtuar thotë: po, ajo Mogherini kështu më ka thënë atëherë...

Krejt kjo komedi, krejt këto lëshime që janë bërë janë shoqëruar me përbetime se Serbia de facto e ka pranuar Kosovën dhe me premtime se BE do të heqë vizat. Nuk ka ndodhur as njëra, as tjetra. Ndërkohë qytetarët i kanë duruar këto parti. Shumë bile i kanë zgjedhur këto parti. Ndërkohë dikush ka gërryer vendin (gurthyesit!), tjetri është marrë me transaksione nëpër banka turke.

Korrupsioni është bërë stil sundimi. Nëse kjo dekadë mund të përshkruhet me një fjali, atëherë me këtë: duke e vjedhur Kosovën ndjellim edhe kthimin e Serbisë në Kosovë ose prishjen e kufijve të Kosovës. Dhe mos harroni: këto parti ende janë në pushtet (PDK formalisht në opozitë, por e gjallë në çdo pore të kapjes së shtetit).

©Enver Robelli