Kolumnist

Heshtja mbi një akt makabër, këmbanë alarmi që bie frikshëm - Nga Ndue Ukaj

Vrasja makabre e mësuesit Samuel Paty në Paris nga ekstremistë fetarë, ka ngjallur neveri e reagime kudo në botën e lirë, por shumë pak në botën shqiptare, ku debatohet pafund dhe për të gjitha temat e ngjarjet botërore.

Një mësuesi në Paris i është prerë koka dhe ky akt tmerrshëm nuk është dënuar në mjedisin tonë, ku udhëheqës politikë kryeneçë, gazetarë e tekstshkrues, nuk hezitojnë të lëshojnë fletërrufe e të përfshihen në gjithfarë debatesh të mundshme botërore.

Kjo heshtje ose kjo shpërfillje, do të duhej ta shtangte gjithsecilin njeri që e do lirinë e njëmend, si vlerën më sublime njerëzore, sepse heshtja dhe shpërfillja përballë këtij akti makabër, tregon se kukurisjet e shumta të atyre që shtiren se brengosen për lirinë në botë, janë vetëm ca shfaqje hipokrite e një tufë shkretanësh trutharë.

Po, ato janë shfaqje krejtësisht të pasinqerta dhe bëhen jo për shkak të bindjeve e as interesave humane, por për shkak të interesave ditore të brendshëm dhe përdoren për kusure të ulëta politike dhe lidhen me interesa të brendshme elektorale, pra janë veprime krejtësisht populiste.

Kjo heshtje dhe kjo shpërfillje tregon se ata që fshihen në petkat e debatomëdhenjve ose dashnorëve të mëdhenj të lirisë, janë disa mashtrues populistë. 

Ky akt i tmerrshëm nuk është drejtuar vetëm kundër një mësuesi, një revistë satirike, një gazetari, një qyteti, një populli, një kulture, një feje. Kjo vrasje është kundër gjithsecilit qytetar të botës së lirë dhe tregon sa i rrezikshëm është kampi i armiqve të egër të lirisë, nëse ai i zgjeron hartat e tij. 

Njerëz, në Paris i është prerë koka një mësuesi, pse ka shfrytëzuar lirinë e shprehjes, të cilën askush nuk e abuzon më shumë se grupimet radikale që e kanë vrarë këtë mësues dhe ky fakt ndër ne heshtet. Dhe kjo heshtje është një kambanë alarmi që bie frikshëm dhe papushim.

©Ndue Ukaj