Kolumnist

Liria ka shumë emra - Nga Enver Robelli

Natyrisht që liria ka emër. Ka plot emra. Emra gjeneratash që luftuan për liri. Emra të përveçëm që punuan për industrializimin dhe modernizimin e Kosovës. Emra që kundërshtuan represionin. Emra që në momentin e duhur rrokën armët dhe iu kundërpërgjigjen regjimit pushtues. Emra që u sakrifikuan për lirinë. Emra të panumërt viktimash civile që tronditën botën. Emra që vuajtën burg. Emra që u mbajtën në izolim. Emra që arsimuan breza të tërë të vendit. Emra që e futën Kosovën në hartën e politikave dhe agjendave perëndimore.

Rrjedhimisht, emri i lirisë nuk mund të grabitet nga një grusht njerëzish. Sepse beteja për liri i kapërcen përmasat e ngushta kohore. Shumë reagime pas veprimeve të fundit të Gjykatës Speciale të Kosovës më tepër i ngjajnë recitimeve patriotike. Nga ky këndvështrim i njëanshëm nuk duhet pritur fare publikimin e aktakuzave. Nga ky këndvështrim cinik nuk duhet folur, as menduar për viktimat. Por, gjykata është themeluar për viktimat, në radhë të parë.

20 vjet për viktima nuk është folur. Janë akuzuar politikanët me njëri-tjetrin egërsisht - “ti ke vrarë”, “jo, ti ke vrarë” -, por drejtësia vendore nuk ka vepruar. Kryesisht është heshtur. Njëfarë omerte kosovare. “Mos hy andej”, “lëre atë temë” ... e kështu me radhë. Janë vrarë njerëz që mendohet të kenë qenë dëshmitarë. Dhe asgjë nuk ka ndodhur. Asnjë konsekuencë.

Viktimat nuk janë gjallë, por kanë emra. Për ata që duan të dinë emrat e tyre - ata kanë emra. Nëse shoqëria nuk dëshiron të dijë gjë për këtë kapitull, nëse partitë politike nuk duan të dinë gjë për këtë temë delikate, le të rrezikojnë një konfrontim me BE-në dhe SHBA-të, në radhë të parë.

Nëse askush s’ka gjë për të fshehur nga e kaluara, s’ka as arsye për panik. Le të priten aktakuzat dhe shansi për të dëshmuar pafajësinë. A nuk është thënë se gjykata është e rëndësishme për të demaskuar armiqtë dhe kundërshtarët e lirisë së Kosovës? E vetmja gjë që sot mund të thuhet është kjo: të pafajshmit e dëshmofshin pafajësinë, ndërsa të fajshmit marrshin dënimin e merituar!

©Enver Robelli