Kolumnist

Asgje të re nga fronti i Shqipërisë - Nga Përparim Kabo

2 Dhjetor 1945 - Zgjedhjet e para të përgjithshme para 75 viteve, një farsë që zhgënjeu aleatët Amerikanë dhe Britanikë... Me tej gjyqi i deputetëve, arrestime dhe dënime deri me vdekje.

2 Dhjetor 2020 - Pas 75 vitesh, kemi përjetuar dy sisteme, atë totalitar me një parti politike, ku zgjedhjet ishin një akt grotesk, se kë do zgjidhje atëherë, kur mundësia ishte një... dhe 30 vite rrugë pa rrugë, për në demokraci, që u finalizua dje me përgjigjen që asnjë detyre nuk keni përmbyllur, ndaj prisni te dera dhe sa kohë s’dihet.

Reforma në Drejtësi ende e pafinalizuar, strukturat e një shteti të ligjit nuk janë ngritur, dy gjykatat kryesore, e Lartë dhe Kushtetuese. Reforma zgjedhore është më shumë një ndeshje parazgjedhore për modelin që të jep pushtetin dhe jo demokracinë përfaqësuese. Kthimi dhe kompensimi i pronës nuk ka përfunduar dhe pronë ka ai që e grabit.

Ligji pa kuptim i 2017 për pakicat kombëtare pret aktet nënligjore, por ashtu si është formuluar pa mbajtur në vemendje parimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës për Pakicat, ai ligj është një gabim trashanik juridik dhe historik e kulturor.

Edhe një herë për administratën publike, që vetëm e tillë nuk u bë, sepse ajo nuk ngrihet mbi parimet e Max Veber-it... keto ishin pergjigjet... Pastaj çfarë ndodh? Pastaj shohim shfaqje në lajme, në darke në emisione... gjatë ditës, madje edhe në ëndrra... me këta që gjoja po bëjnë demokracinë funksionale.

Ne nuk po ngremë dot një kulture mbi historinë, sa kohë që nuk kemi një histori kulture. Kriza e ideve ngado, flet bishti para sqeparit, specialistë për gjithçka që në fund i thonë njeri-tjetrit në emision televiziv të drejtpërdrejtë... hajde kur të dalësh jashtë ta tregoj unë ty se çfarë do të bëj… Llumi i mburret llumit...

Asgje të re nga fronti i Shqipërisë, një histori e vjetëruar në një dekor parazgjedhor... festivoqesharak!

©Përparim Kabo