Kolumnist

Shqipëria nën regjim policor - Nga Ilir Levonja

Shoqëria civile shqiptare dha dje një shembull të përkryer për shëndetin e demokracisë. Unë e kisha humbur deri diku këtë besim. Shpresoj ta rishoh edhe sot atë që ndodhi dje. Pse jo edhe nesër... megjithatë vëreni vëth në vesh se fitorja nuk qëndron tek rrëzimi i pemës së Krishtlindjes apo Vitit të ri siç edhe e quanim ne dikur, as tek ministri, por tek e gjithë qeveria.

Bëjani vendit këtë nder pasi 25 Prilli është larg. Dhe opozita e ka pranuar këtë ndëshkim. Mos e pranoni ju si shoqëri. Humbi jetën një i ri, një bir nëne. Fakti, ca orë policore absurde natën kur piku i lëvizjeve është ditën. Qe e gjitha një mini skenë e vrasjes së Sulos te filmi Lulëkuqe mbi mure. Një absurd shqiptar i dhunës shtetërore. Jo më shumë se dje mbrëma, kancelarja Merkel i lutej shoqërisë civile gjermane që të pranonte të karantinohej. Apo të vet izolohej. E bëri publikisht. Si kujtoni nuk ka polici? Nuk ka ushtri? Nuk ka armë Gjermania? Të gjitha i ka, madje me shumicë, por demokracia nuk është pushtet i njëshave, është pushtet i qytetarëve.

Tek ne vetëm jepen urdhra dhe dhuna është e drejtë ligjore e kujtdo lloj uniforme, qoftë kjo bashkiake, policore, gjyqësore, shikase, financiare, gardiste, shqiponjiste, ushtarake. Madje edhe shoferiste ose e atyre që u hapin derën e benzave të blinduar shefave të tyre. Eshtë dhunë policore edhe atyre nëpër studio, mjaft që vendosin nga një kollare, lënë pak mjekërr, hedhin xhel, përdorin syza fashion dhe kanë të drejtën ligjore të dhunojnë. Të përmendin standartet e munguara, përshembull përse Lulzim Basha nuk e dha dorëheqjen kur ndodhi 21 janari i 2011? Kësisoj i lind e drejta e çdo ministri pasardhës të vrasi e të mos e japi dorëheqjen.

Standarte doni zotërinj? E dha Luan Rama dorëheqjen në 2003 si ministër i Brendshëm në qeverinë Nano vetëm për një sherr verbal dhe një të shtyrë me një gazetar. Përse nuk e dha Lulëzim Basha dorëheqjen, qoftë faqja e zezë e Lulëzimit, por kjo nuk është e drejtë ligjore edhe për ty të vrasësh një 25 vjeçar me dy hurma në dorë. Nuk është bisedë për tu bërë bash kur trupit i të riut nuk i ka ikur akoma kurmi i ngrohtë i jetës. E, mjerë ajo shtëpi që e gjeti gjëma. Mjerë ata prindër...

Një makinerie të tërë shtypistash u dhëmb pema e Krishtlindjes, por asesi përdorimi i mjeteve që dëshmojnë dhunën, gazi lotësjellës, shkopinjtë, skafandrat, uniformat pa numër personal. Nuk bëhet vendi me njerëz që kur djegin e vrasin vetë, e quajnë të ligjshme. Kur djeg e vret tjetri të thonë se këta po na pengojnë të futemi në Europë. Nëse nuk e keni kuptuar, ka filluar një regjim i mirëfilltë, një regjim sa policor, sa ushtarak, sa vrasës, sa poshtërues i cili po i shërbën jo prirjes civile por njëshit.

Mos i besoni më atyre që iu kujtojnë Sali Berishën. Sali Berishën aty e kishin për 8 vjet. Madje po i shërbejnë dhe luten ditë e natë ta kenë. U duhet. Ju vetëm kujtohuni se jeta juaj nuk është Sali Berisha, por bash ekonomia juaj, puna, të ardhurat, të drejta civile. Mos i besoni më atyre që iu kujtojnë Ilir Metën. Nuk e bëtë ju president Ilir Metën, e bënë ata. Ju kujtohuni se shtëpia juaj a problemi juaj nuk është Ilir Meta, por ekonomia, pagat mjerane, taksimet, a këto rivlerësimet e pronës për të mbledhur ca më shumë fonde nga mospasja juaj.

Bëjani vendit nderin që i takon dhe mos u merrni me ata që kërkojnë standarte deri në Kore a në Amerikën e largët. Flasin kot! Amerika nuk njihet përmes internetit. Do ta njohësh Amerikën, eja dhe merr metronë, bëj dy a tre punë, laj edhe pjata, pastaj fol për ligjin, për të majtën apo të djathtën. Pastaj ta kuptosh se sa bajat je kur thua se përse nuk e dha dorëheqjen Donald Trump kur një polic vrau një zezak? Pastaj të kuptosh se përse polici amerikan i ulet në gjunjë protestuesve, kurse ai shqiptar i shan me rob shtëpie. Eja dhe të kuptosh se çfarë pushteti ka qytetari dhe çfarë presidenti. Çfarë pushteti ka Gjykata dhe çfarë Kongresi. Eja të kuptosh se sa bajat është Kuvendi yt.

©Ilir Levonja