Fisnikja Vjosa Osmani dhe regjimi i Tiranës - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja - Florida, SHBA
Shumë njerëz bëjnë habi se përse Edi Rama nuk ndodhej në Kuvend gjatë fjalës së Presidentit në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani. Eshtë fare e thjeshtë, ka të bëjë me kultin e individit, regjimin e tij. Vetëm shqiptarët nuk e po e kuptojnë dot se Edi Rama aktualisht ka ngritur një regjim.
Sado të prisni 25 Prillin, prapë nuk do fitoni. Sado të shpresoni në një rotacion normal, prapë ai do fitojë. Do ta gjejë një kleçkë, një mënyrë, do e plasi një bombë tjetër ku ju të futeni në atë gangrenën “e bëri veza pulën apo pula vezën”? Ju do gërrvërreni prapë, pasi ai i ka kapur të gjitha.
Dhe sado të dalldiseni studiove, pasi bini kollaj në rrjetat e makinerisë së tij, me meditimet mbi protestat, ligjshmëritë, vagabondët, adoleshentët, studentët apo larjen e duarve nga përgjegjësia mbi protestat, mënjanimin sikur jeni të virgjër në politikë, prapë jeni të humbur. Përse?
Sepse nuk po e merrni seriozisht regjimin e këtij individi, por po bëni lojrat e tij. Nga ana tjetër dasimet sociale dhe pretendimet politike të bythecëve që e kujtojnë veten liderë të demokracisë, duke rishpikur forca me prirje tavolinash ku dominon kafeja turke dhe alkooli, plotësojnë kuadrin e një rënie totale të vendit amë.
Një Kosovë e sfilitur luftrash duhej të kishte sot një nderim katërfishor, për shkak se shikon tek ne kombin. Deri pak vite më parë, pavarësisht të gjithave, lidereshipi politik i të të dy anëve, kishin vëmendje të lartë dhe të ndërsjelltë.
Me ardhjen e Edi Ramës kryeministër, raportet Shqipëri-Kosovë futen në një konfliktualitet të përditshëm sa sot askush nuk e ka të vështirë të kuptojë ftohjen e madhe mes Prishtinës dhe Tiranës. Dhe ta mendosh që ca javë më parë e gjithë makineria e propogandës e regjimit të Tiranës, çfarë nuk tha në lidhje me një kasetë ku lideri i opozitës paska hetuar kundër UÇK-ës.
Megjithatë, kreu i regjimit, ky strateg i madh i rajonit, nuk denjon të dëgjojë drejtpërdrejt fjalën e Presidentit në detyrë të Kosovës. Ai nesër mund të dalë, siç edhe e ka zakon, ashtu masiv qillotash, me sy plot urrejtje, të japë mendje. Të flasë plot përbuzje si bullist që është, karshi kundër çdo mendimi ndryshe, pavarësisht titullit si kryeministër i shqiptarëve. Mund të përbuzë kërkënd duke i pëlqyer veç e vetëm mendja e tij. Dhe kjo mund t'i bëjë të fërkojnë shalët perversët e kastës së tij, të gjitha ata që janë gati ta shkelin akoma Shqipërinë veç e vetëm për hatër të shefit të tyre dhe për inat të Sali Berishës etj.
Në fund të fundit, Kosova apo çështja kombëtare nuk është punë e tyre. Punë e tyre është vetëm kulti i individit. Ndaj sot fjalimi i Presidentit në detyrë të Kosovës, stonon në Tiranë. Kjo për sinqeritetin, opozitarizmin e drejtëpërdrejtë, fisnikërinë dhe historinë e individit të përndjekur nga i huaji dhe i veti. Vjosa Osmani stonon edhe për mendësinë e femrës së Tiranës karshi asaj të Prishtinës, në raport me shefin dhe çështjen kombëtare. Ajo e Kosovës e sheh Skëndërbeun në Krujë, kurse ajo e Tiranës tek kryeministri në detyrë. Çështje regjimi, jo kombi.
Edi Rama nuk ka se si ta durojë askënd që i del përpara planeve të tij. Për të takimet mes shqiptarëve janë vetëm të mbyllura, janë ato çfarë u servir mediave ERTV-ja e tij. Kurse Vjosa është e hapur. Nuk punon për vete, por për Kosovën dhe Shqipërinë. Në Tiranë Edi Rama punon për vete. Një vajzë nga Mitrovica e përvëluar nuk ka se si të punojë për vete. Një pinjoll i regjimit po. Madje ashtu si Enver Hoxha, u thotë të tijëve që Kosova nuk është në agjendën tonë. Dhe nuk është. Nuk ka se si! Nuk është Vjosë.... Po ty faleminderit moj fisnike se çele bash në kohën e duhur!
©Ilir Levonja












