Kolumnist

Lamtumirat e fundit! - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Lamtumirat e fundit thuhen atëherë kur ndahemi fizikisht me një njeri të dashur. Mund të ketë diferenca sipas vendeve e zakoneve por për ne shqiptarët lamtumirat e fundit thuhen duke i dhënë prekjen e fundit me dorë apo me buzë të afërmit apo mikut që nuk do ta kemi më mes nesh.

Mençuria njerëzore për të treguar se jeta duhet të prevalojë në dobi të mirëqënies psikologjike të rrethit të afërt familjar e shoqëror ka ndërtuar ritualet e lamtumirës së fundit. Ky proces qëndron mes jetës dhe vdekjes duke na bërë të qartë se një fill i ndan mes tyre.

Ky vit i marrë, të cilin mezi pres t’i jap një shkelm e ta përcjell "pa ceremoni" ua hoqi njerëzve të drejtën e lamtumirës së fundit, duke ia hapur dyert vdekjes të shtrohet gjerë e gjatë në shtratin e jetës.

Shumëkush që humbi një të afërm nuk pati mundësinë t’i përkëdhelte dorën në spital, t’i shprehte dashurinë e mirënjohjen, ta vishte me rrobat më të mira, të mbante fjalën e fundit para se të hidhte grushtin me dhé.

Mortja Covid na ndaloi të vajtonim pranë njëri-tjetrit, të shprehnim ngushëllime me përqafime të ngrohta e mbështetje të përditshme për të afërmit në zi.

Na detyroi të përdornim teknologjinë për të dhënë lamtumirat e fundit. Por a mund ta zëvendësojë shtrëngimin e dorës së të afërmit të dëshpëruar një varrim në Zoom apo Skype? A mund të prodhojë dopominë, oksitocinë apo serotoninë emoji i përqafimit dhe puthjes? Sigurisht që jo. Këto hormone që na ndihmojnë të ndihemi mirë prodhohen kur përqafojmë realisht dikë.

Për shumë prej nesh lamtumirat e fundit janë drithëruese. As arsyetimet epikuriane, budiste apo shkencore nuk të ngushëllojnë. Por ama të afërmit janë aty, miqtë bëjnë vizita çdo ditë e tregojnë histori të ndryshme me humor. Disa supersticiozë thonë se shpirti ka nevojë për humor gjatë largimit të tij. Të gjitha këto ndihmojnë të kapërcehet dhimbja e familjarët e të ndjerit apo të ndjerës të shkrihen gradualisht me realitetin e ri, atë të mungesës së një njeriu të dashur.

Ndërsa lamtumirat online të bëjnë të ndihesh kaq i pafuqishëm dhe pa asnjë rol në jetën e atij apo asaj që ke humbur, njëlloj si ajo ndjesia kur nuk e shëron dot nga një sëmundje fatale. Po kaq të pazë dhe pa rol ndihen dhe pjesëmarrësit në kësi lamtumirash.

Por kur vjen fundi i vitit, njerëzit kërkojnë shpresën dhe i urojnë vetes në heshtje, të tjerëve me zë të lartë një vit më të mbarë. “Hajt do e kalojmë edhe këtë marri, do e heqim edhe këtë siklet, shëndeti mbi të gjitha, do Zoti takohemi sa më shpejt” janë fjalët më shpesh të përdorura.

Kështu të shfuqizuar, të izoluar nga muret e shtëpisë sonë, pa përqafimet e ngrohta të njerëzve të afërt mezi presim të ikë ky vit, ta quajmë të mbyllur, ta kthejmë faqen e kalendarit të mbushur me lamtumira të mbetura varur në fijet e internetit.  

Nesër do të trokiten gotat në natën e ndërrimit të viteve me fjalët më të mira, inkurajuese e dëshiruese për njëri-tjetrin. Do të mirëpritet Viti i Ri me entuziazmin e pritjes së një jete të re.  

Jetofshim ditë më të mira! Lamtumirë 2020!

 

©JetaDedja