Kolumnist

Të të flakin nga rrjetet sociale, ky është kulmi! - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Nëse dikush del në dritare dhe ulëret me të madhe duke sharë njerëzit që kalojnë rrugës, këta të fundit mund të lajmërojnë 911 duke hamendësuar se tjetri nuk është mirë mendërisht. Afërmendsh, ka ca rregulla shoqëria mbi të cilat funksionon. Ti nuk mund t’i drejtohesh në publik tjetrit me gjuhë fyese, sidomos kur nuk ke asnjë lidhje të afërt me të. Dhe nëse qëllon të jesh person i njohur në publik mbi ty do të rëndojnë më shumë rregullore komunikimi. Sepse gjuha ka ndezur luftra thoshte Ezopi ashtu siç edhe i ka shuar ato.

Tani vijmë tek rrjetet sociale që përveç qëllimit kryesor të pasurimit të atyre që i kanë krijuar dhe t’u shërbejnë interesave të ca të tjerëve, pretendojnë të shërbejnë edhe si një lloj organizimi virtual i një komuniteti, ku ca anëtarë të të cilit mund të mendojnë se kanë mision fisnik të iluminojnë ndjekësit apo të përcjellin flakën e së vërtetës së madhe, por në të vërtetë kanë si të gjithë anëtarët e tjerë çelsat e kashtës. Pasi gjithçka me rëndësi kalon nga filtrat e rrjetit. Është ai që të lejon apo të ndalon. Ai është censura dhe liria, dhe ty të ka pëlqyer, ashtu siç u ka pëlqyer edhe atyre që ua hapën shtegun rrjeteve të lulëzojnë e zgjerohen në botë me idenë t’i përdorin në funksion të vet e duke mos u kujdesur për efektin e ardhshëm boomerang. 

Në fakt, ti ke një llogari që pronari i rrjetit ta ka lënë në përdorim. Pra ti nuk e ke atë në pronësi, por ke rënë dakord ta marrësh një hapësirë në përdorim kur i ke thënë “PO” marrëveshjes në momentin e çeljes së profilit. Pronari të ka treguar se ka rregulla që duhen respektuar si për shembull moscënimi i të drejtave, integritetit dhe mirëqënies së tjetrit. Nëse ti i shkel, ca punonjës që paguhen për këtë punë zbatojnë protokollin. Është e vërtetë, nuk ka trajtim të njëjtë për të gjithë, por…hej ti je shumë larg të qënit në tavën ku merren vendimet. Të pëlqen a s’të pëlqen, kjo është kontrata që ti vetë e ke firmosur virtualisht.  

E zemë se në një moment nuk të pëlqen gjithë ky kontroll, dhe ndjesia se liria e fjalës të është dhunuar të gërryen nga brenda e të vjen të pëlcasësh. E kështu vjen ajo ora e bekuar kur do të ulërish e shash siç ndoshta e bën brenda mureve të shtëpisë. Dhe del aty në profilin tënd, hapësirën tënde (që në fakt nuk është e jotja) dhe ia këput me libër shtëpie dikujt që të ka prishur humorin. Se ku më kapi syri sot dikë që i kishte bërë “screen shot” statusit të dikujt dhe ftonte ndjekësit për gjueti shtrigash. Hajt t’i biem filanit se nuk mendon si mua. Se kjo është liria e fjalës, të ndezësh gjakrat, të thuash bruto pa filtër mendimin më primitiv që të kalon në mendje.

Se ti përton ta zgjedhësh gjuhën e të bësh debat me inteligjencë fine, elegante, pak ironi apo humor. Ç’ne të lodhesh kaq shumë. Bjeri drejt, shaj se ata ndjekësit duan sherro-gallatë. Dhe ti vdes për një çik ring virtual të përleshesh e shfrysh marazet e tua të bëra mal ditë pas dite. E pse jo të marrësh disa pëlqime për muskulozitetin virtual. Sa qejf kur të thonë se je njësh, je gjigant, je e paparë, je e madhe.

Po të ishit jashtë në rrugë, tjetri (ai i shari) mbase do të të kishte marrë me shkelma mirë e mirë. Por ja që jeni në realitetin virtual ku ti mendon se është vështirë të të përvishen fizikisht ata që i ke vënë në shënjestrën e sharjeve. E shumta do të kundërshtojnë me komente, gjë që ti mezi e pret rastin, ose nuk do ta varin fare, ose do të të bëjnë block. Po punë e madhe, një më shumë a një më pak, s’ka rëndësi.  

Po prit pak se nuk qenke në shtëpinë tënde, domethënë nuk je zot apo zonjë i/e këtij profili. Je një klient më shumë në listën e atyre që të kanë hedhur një marrëveshje para syve, i ke thënë OK pa e lexuar fare atë dhe aq.

Atëherë ç’ke që mërzitesh kur të flakin jashtë në rrugën virtuale nëse nuk ke zbatuar kontratën? Je një klient/e (mes mijëra të tjerëve) me histori të keqe krediti dhe kaq. Hajt tani, ik dhe vër mend! Hidhju jetës reale dhe zgjidhi më mirë fjalët! 

Pupupu…të të flakin nga rrjetet sociale, ky është kulmi!

Shënim: Autorja nuk pret e as përcjell komente negative për këtë shkrim. Të gjitha mendimet pa lidhje do të censurohen. Autorja i lutet lexuesve protestues t’i mbajnë për vete sharjet ose t’i bien murit me kokë :) Faleminderit për mirëkuptimin!