Kolumnist

Vaksina kundër Covid dhe një “lajthitje” logjike - Nga Arben Kallamata

Lexova një status dje ku thuhej se në Gjermani 33 persona të vaksinuar mbas një jave janë testuar dhe kanë dalë pozitivë me Covid-19. Ky fakt interpretohej të paktën siç e kuptova unë, si prove që vërtetonte se vaksinat nuk janë krijuar për të mbrojtur nga virusi por për qëllime të tjera, të errëta.

Duke pasur vërtet respekt për atë që e kishte postuar statusin, unë i bëra vetëm një koment të thatë, ku shpreha mendimin se, meqënëse vaksinat deklarohen se mbrojnë në një përqindje të caktuar, atëherë do të ketë dhe një përqindje njerëzish që nuk mbroheshin prej tyre. Pra, nëse thuhet se vaksina mbron 97 perqind, është krejt normale që në 100 vetë 3 do të jenë më të prekshëm nga virusi.

Përgjigja që mora ishte thjesht konstatim që mua më mungonte logjika. Prandaj e tërhoqa komentin dhe nuk e ndoqa më atë fill bisede.

Sidoqoftë kur dikush për të cilin ke mendim pozitiv ta thotë në fytyrë se nuk ke logjikë, ia vlen të përpiqesh të kuptosh se çfarë mund të çalojë me logjikën tënde. Prandaj e vura në dyshim atë që kisha shkruar dhe u vura të verifikoj

Kërkova në disa burime, por po sjell këtu një shpjegim disi të përmbledhur dhe të qartë që gjeta te “The Conversation” (Bashkëbisedimi) – një rrjet portalesh të medias jo-qeveritare që boton në Internet artikuj të shkruar nga akademikë dhe kërkues shkencorë. Ja shpjegimi:

“Nëse Pfizer/BioNTech raporton se vaksina e tyre është 90% e efektshme, kjo do të thotë se vaksina e tyre ka parandaluar simptoma të COVID-19 në 90 përqind të atyre që e kanë marë vaksinën në krahasim me placebon. Shkencëtarët mendojnë se kjo shifër, e përcaktuar në kushtet e studimeve klinike është shumë e lartë dhe, gjatë përdorimit të gjërë do të vazhdojë të bjerë përgjatë përballjes me realitetin. Shumë pak vaksina të prodhuara deri më sot arrijnë të kenë efektivitet mbi 90%. Vaksinat e gripit e kanë veprueshmërinë 40% deri në 60% dhe megjithatë përdorimi i tyre mbron me miliona jetë njerëzish. Pra asnjë vaksinë nuk parashikohet të mbrojë 100% të njerëzve. Autoritetet e shëndetsisë në vende të ndryshme miratojnë përdorimin e vaksinave që kanë aftësi parandaluese mbi 50%.”

Këto janë të vërtetat shkencore që shkruajnë shkencëtarët dhe ato duhen lexuar ashtu siç janë. Pra, jo me paragjykimin që dikush po pretendon se me të marrë vaksinën mund të lëshohesh e të përqafosh rrugëve këdo që të të dalë përpara. Kur marrim vaksinën, ne bëjmë një hap përpara për të ndaluar përhapjen e një sëmundjeje të rrezikshme, që mbetet gjithsesi e rrezikshme. Kështu e kap logjika ime këtë temë. Logjika ime më thotë që kur flitet për shkencë të anoj më tepër te mendimi i komunitetit kërkimor-shkencor dhe jo te teoritë konspirative.

Me logjikën time, kur flitet për vaksinën unë iu besoj më shumë shkencëtarëve dhe studiuesve, atyre që kanë zhdukur polimelitin, fruthin, rubeolën dhe plot sëmundje të tjera dhe vazhdojnë të punojnë për të mirën e njerëzve duke shfrytëzuar dijet e tyre të marra në vite e vite shkollimi në universitetet më të mira që ka bota.

Me logjikën time unë nuk iu shkoj pas teorive të gjeneruara nga njerëz me kapacitete intelektuale, morale dhe etike të dyshimta që përhapin idenë se gjithë qeveritë e botës janë bashkuar në një konspiracion të heshtur të organizuar nga Soros dhe Bill Gates për t’i injektuar njerëzimit mikroçipe e për t’i kthyer në zombie.

Shënim: Lajthitje logjike janë argumentat që mbështeten në arsyetim të gabuar, megjithëse në pamje të parë duken mjaft tërheqëse për një lexues të pavëmendshëm. Zakonisht ato ndahen në tre grupe të ndryshme: lajthitje të ethosit (karakterit), pathosit (emocioneve) dhe logosit (logjikës).

©Arben Kallamata