Kolumnist

Lajme të këqia për demokracinë në Kosovë - Nga Afrim Krasniqi

Nëse do të isha qytetar me të drejtë vote në Kosovë vështirë se do të isha votues i VV (Vetëvendosjes). Ka disa arsye thelbësore për këtë. Por nëse do të isha votues në Kosovë do ta konsideroja fyerje dhe padrejtësi të shkoj në zgjedhje dhe të mos kem mundësi për të pasur në fletëvotimi në listën e kandidatëve kryetarin e partisë më të madhe politike në Kosovë.

VV udhëheq në çdo sondazh dhe Albin Kurti është kryetar i saj, kandidat i saj për kryeministër. (Keq)përdorimi i klauzolave ligjore për të eliminuar nga gara elektorale kryetarin e partisë më të madhe politike është sinjal negativ për demokracinë dhe fyerje për konceptin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Vetëm në Rusi e Bjellorusi janë “pranuar” standardet, sipas të cilave, autoritetet ndalojnë kandidatët potencialë për presidentë e kryeministra të kandidojnë në zgjedhje. Gjithnjë gjejnë një alibi, por të gjithë e dimë se cila është arsyeja e vërtetë.

Kosova është shtet i ri dhe nuk mund të ketë model këto dy modele të deformuara të pluralizmit politik. Albin Kurti meriton të jetë kandidat, Kadri Veseli meritonte të ishte kandidat, Isa Mustafa meriton të jetë kandidat, sepse ata janë kryetarët reale të tri partive më të mëdha politike dhe qytetarët meritojnë të kenë mundësi të votojnë e të zgjedhin midis tri partive kryesore, midis tri listave kryesore dhe midis tre kandidatëve kryesore për udhëheqës të shumicës së ardhshme politike në Kosovë.

Vendimi i GJK dhe më pas i KQZ injoron atë që Çërçill paralajmëronte: demokracia nuk është thjesht procedurë, por mbi të gjitha është përmbajtje, normë dhe frymë. Kosova po zhvillon zgjedhje unike, pa pasur mundësi të zgjedhë, votojë dhe legjitimojë kandidatët realë që kanë pasur, kanë dhe do të kenë pushtet vendimmarrës para e pas 14 Shkurtit, - dhe sido të jenë rezultatet, duket se do të kemi më shumë një fotokopje të procesit zgjedhor sesa një proces real zgjedhore ndaj edhe legjitimiteti dhe standardi mbeten të cenuara pa filluar ende fushata dhe vetë procesi. Ky është një lajm (tjetër) i keq për demokracinë e re dhe të brishtë në Kosovë!

©Afrim Krasniqi