Tallja butaforike e Sulltan Surrel Vaksinës me miletin - Nga Alfons Zeneli
Alfons Zeneli
Në videon e publikuar e të zbukuruar me ikona dashurie dhe triumfi, duket Rama si një kullë vrojtimi në aeroportin ku sapo është ulur avioni me 1170 doza vaksine. Ai mban telefonin në dorë dhe komunikon në Twitter, Messenger apo Whatsapp. Ose jep urdhëra e ultimatume, ose porosit veshje onlinë, ose telendiset tek për tek me komentuesit.
Harxhon kohën e englendiset deri sa të fillojë shkarkimi i dozave. Pothuajse ngjan për gjynah, tamam si ata që presin ndonjë udhëtar i cili po iu sjell nga Italia rroba të përdorura apo ndonjë dhuratë tjetër nga vëllai që punon ne Pescara. Anash tij si matrioshka qëndrojnë në akordancë veprimesh e gjestesh Ben Ahmetaj (“The Tiger”) si dhe "moma e shnetit" Ogerta Manastirliu.
Janë që janë, bëjnë dhe içik muhabet. Ogerta i shpjegon se vaksinat po dalin nga avioni dhe do të ruhen në frigorifere në -80 gradë. Lideri tund kokën në shenjë aprovimi, sikur do të thotë: "Të lumtë, ti dikërke si bëhet rakia"! Pastaj, vazhdon Ogerta, transporti i tyre do të bëhet në masa sigurie të shoqëruara nga makinat e policisë.
Si duket ka marrë frikë nga vjedhja sistematike e furgonëve me valutë në rrugën Tiranë-Rinas. Ogerta është e re dhe nuk e di akoma se si vidheshin e ku kanë përfunduar blloqet me valutë. Pra Sulltan Surrel Vaksina, një pasha dhe një pashalleshë, të shoqëruar nga një mori automjetesh e badigardësh, presin në "havaliman" lëmoshën e kaurrëve.
Kjo ngjarje ndodhi në mbremjen e kaluar, pra fillimshkurt, kur sipas premtimeve me gojë e çitjane plot do të vinin 50 mijë doza. Në mes të Janarit, pra para dy javësh, sipas premtimit do të vinin 10 mijë doza. Mirëpo doli Janari e hyri Shkurti dhe vaksinat nuk erdhën.
Qytetarëve nuk iu intereson aspak lufta që i gjati ynë po bën në këte shkurt me të keqen globale, as roli i tij si ndërmjetes i zgjidhjes se krizes greko -turke. Qytetarëve iu intereson të vaksinohen dhe të shmangin rrezikun. Mirëpo le të guxojë njeri e t`i thotë Sulltanit se kanë ardhur 1170 vaksina dhe jo 50 mijë. Le të guxoje njeri t`i thotë se 50 mijë vaksinat që janë mangut nuk ia ka vjedhur në ajër Saliu me Lulin.
Për Ramën nuk është e rëndësishme se në të vërtetë kanë ardhur vetëm 900 doza kontrabandë dhe 1000 doza legale. Për të rëndësi ka se çfarë shohin të marrët në 3D.
Tani lind pyetja se sa doza të tjera do vijnë dhe kur do vijnë? Si do dale Shkurti e si do hyje Marsi? Si do dale Marsi e si do hyje Prilli. Çdo të ngjajë në Prill dhe Maj?
Praktikisht deri më tani në gjithë Shqipërinë janë vaksinuar gjithsej vetëm 662 persona. Pra një shifër e cila përplaset në mënyrën më cinike dhe përtallese mbi surratin e regjur te popullit, pavarësisht kinokmedisë së stadiumit "Air Albania", ku në të vërtetë u zhvillua ndeshja ndërkombëtare midis skuadrës së çunave të “Rilindjes” dhe truve të miletit.
Lukunia me njerëz butaforikë, shoqerues, badigardë, spektatorë të rekrutuar, fotografë e kameramanë që duartrokasin shpimin e liderit në Stadium dhe ardhjen e 1170 dozave në aeroport, gjysma e qeverisë qe fugon pas tij e magjepsur, janë elementët që përbejnë një pamje prej së cilës do pështirosej edhe vetë Endri Fuga.
©Alfons Zeneli











