Kolumnist

Buzëqeshjet pas maskave - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

“Miss Jeta, I love you”. Me këtë deklaratë dashurie fëminore më nisi dita dje. Anthony, një nxënësi im i ëmbël ndjeu se duhet të vraponte e të më përqafonte sapo më pa në derë. Instinktivisht u ula në nivelin e tij për t’i dhënë një përqafim, por në çast u kujtova që shkela një rregull. Porosia me shkrim e me gojë na ndjek kudo në punë: Ruaj distancën 2 metër!

Është kaq e vështirë të zbatosh rekomandime të tilla absurde kur punon me fëmijët. Duhet të jesh akull e gur të zmbrapsësh një fëmijë me krahë hapur duke i zgjatur një dorë përpara stop si një polic qarkullimi rrugor.

Nëse nuk do ta kisha përqafuar, Anthony do të mund të shihte vetëm sytë rethuar nga rrudhat, dhe do dëgjonte ca fjalë të ëmbla, por këto nuk do t’i mjaftonin në atë çast. Ai është një fëmijë që i duhet kohë për t’iu përshtatur regullave të reja, ndryshimeve dhe çdo ditë shpreh revoltën e tij të veçantë ndaj maskës.

Qëkur janë vënë maskat në përdorim, fytyrat e profesionistëve që punojnë me fëmijët po njohin ditët e tyre më të vështira. Me gojë e faqe të mbuluar, në disa raste edhe me një mbrojtës ekstra të tejdukshëm për gjithë fytyrën, zor se dallohet prej një fëmije se çfarë efekti ka një sjellje, një përgjigje apo një veprim i tij tek profesionisti që punon me të. Nga ana tjetër, mësuesit i duhet të lëvizë këmbë e duar, të punojë mirë me intonacionin, volumin dhe ngjyrat e zërit për të përcjellë mesazhin e duhur tek nxënësit.

Buzëqeshjet, që ngrohin atmosferën në klasë, rrisin vetëbesimin e nxënësit, stimulojnë e inkurajojnë një sjellje pozitive, e motivojnë atë të vazhdojë një punë të nisur, mungojnë në këtë periudhë.

E provuam edhe shkollën online. Ishte mirë sepse mund të flisnim lirshëm pa maska, por sërish shumë larg njëri-tjetrit. Afërsia fizike, ndërveprimi direkt i një grupi të caktuar njerëzish brenda një hapësire sociale reale, shprehjet e shkëmbimet e emocioneve bashkë me energjitë që çlirohen, tërheqja e vëmendjes përmes prekjes, pa folur, pa thërritur me zë të lartë janë elementë të rëndësishëm në kënaqësinë dhe suksesin në komunikimin me fëmijët.

Prandaj dhe ideatorët apo novatorët, të shqetësuar për fëmijët në mbarë botën (hmmm sikur të ishte kështu vërtet), kanë hedhur në treg maska transparente dhe mbase në këto momente janë në diskutimet e shitjes në sektorët e edukimit.

Deri atëherë do bëjmë si do bëjmë. Fëmijëve do t’u mësojmë gjuhën e syve dhe të trupit. Në fund të fundit kjo është gjuha më e vjetër në botë.

 

©JetaDedja