Kolumnist

Kosova mes Izraelit dhe Palestinës - Nga Hajro Çini

Unë i kam mirëkuptuar gjithmonë si Izraelin ashtu edhe Palestinën në çështjen e mosnjohjes së Kosovës. Izraeli është krijuar më 1947 në një pjesë të botës që quhej Palestinë. Krijimi i Kosovës, që ishte një e drejtë historike, mund t’i krijojë Izraelit ndonjë problem në të ardhmen, kur raporti i forcave në botë mund të jetë ndryshe nga ky që është sot. Ndërsa Palestina do të bënte direkt vetëvrasje në se do ta njihte, sepse do të humbte përkrahjen që ajo gëzon nga Rusia apo shtete të tjera jo dashamirëse ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar. Izraeli ka probleme me të drejtën ndërkombëtare, pra ligjore dhe legale, Palestina ka probleme politike dhe mbijetese.

Edhe pse i mirëkuptoj deri diku arsyet legale të Izraelit, që hezitonte ta njihte, nuk mund ta justifikoj mosnjohjen nga ana e tij as nga ana morale, as nga ana njerëzore, kur shqiptarët janë treguar njerëz fisnikë me hebrenjtë, kur ata kishin nevojë. Gjithsesi as na krijon probleme me mosnjohjen as na rregullon punë me njohjen.

Kosova duhej të kishte shkundur veten nga krimi i organizuar dhe korrupsioni që kishte kapur shtetin shumë kohë më parë. Këtë e bëri me sukses më 2019 dhe akoma më me ritëm në 14 Shkurt 2021. Të ardhmen e saj Kosova e ka vetë në dorë.

Marëveshja Kosovë-Serbi e Washingtonit, e bërë nën kujdesin e Presidentit Trump, ishte një artific i çuditshëm. Deri para asaj marrëveshje Kosova rrezikonte të humbiste 1/3 e territorit dhe pjesën më të pasur të saj. Kjo falë dosjes kriminale që kishte mbi shpatulla një i akuzuar (dhe arrestuar) për krime, Hashim Thaçi, dhe banda e tij. (Që që nga 1999 e deri tani, unë gjithnjë e kam akuzuar atë si dorë të zgjatur të UDB-së në Kosovë.)

Ndarjen e Kosovës e ndaloi dhe shpëtoi Gjermania, e mbështetur, çuditërisht nga Britania e Madhe dhe Franca. Marrëveshja e Washingtonit ishte gozhda e fundit mbi “arkivolin” e copëtimit të Kosovës dhe ishte shpëtimtare. Ishte lajm i mirë që edhe Izraeli e njohu, gjë që i ishte kërkuar nga Presidenti Trump. Por njohja nga Izraeli, sado e mirëpritur, mund t’i krijojë Kosovës probleme të mëdha.

Nëse Kosova e hap ambasadën në Jeruzalem, mund të ndeshet me mosaprovimin e BE-së dhe Turqisë, një nga shtetet e para që e njohu të nesërmen e shpalljes së Pavarësisë.

Kosova nuk mund ta përballojë këtë kosto, kur aspiron të bëhet pjesë e BE, prandaj Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duhet të jenë shumë të matur në këtë pikë të marrëveshjes. Nuk kanë pse acarohen as me BE as me USA.

Të mos hapin fare ambasadë në Izrael dhe Izraelin ta mbulojë një ambasadë shqiptare në një nga shtetet fqinjë me Izraelin.

©Hajro Çini