Kolumnist

Grupi “puçist” i Rinasit - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Në vitin e largët 1974, rrufetë e Zeus-it Enver nga Olimpi i marksizëm-leninizmit, do të binin pa mëshirë mbi ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe gjeralët drejtues të ushtrisë, duke i akuzuar si puçistë. Drejtësia e partisë i çoi pa hezitim para togës së pushkatimit, sepse kishin zbatuar në ushtri teorinë disfatiste e armiqësore të “rrëshqitjes”?! Kjo “teori disfatiste”, konsistonte në shmangien e një lufte frontale në rast të një agresioni të jashtëm, duke i “rrëshkitur” forcat tona ushtarake në male, nga ku do mësynin armikun me taktika të luftës partizane.

U zgjata pak në historinë e këtij grupi “puçist”, pasi historia përsëritet. Sot 46 vite pas grupit puçist në ushtri, kemi grupin “puçist” të kontrollorëve të Aeroportit të Rinasit. Historia përsëritet. Njësoj si puçistet e djeshëm të ushtrisë, këta të sotmit i rrëshkitën detyrës duke e lënë në dorën e “armikut” kullën e barit. Më falni kullën e Rinasit. Dje kishim shokun Enver që shpëtoi atdheun duke çuar në satër Beqirin me shokë, sot kemi Edin me Belinda Ballukun që morën masa të menjëhershme duke çuar ushtrinë në mbrojtje të kullës dhe policinë e prokurorinë e partisë që i rrasën prangat “puçistëve”. 

Që kontrollorët e Rinasit mund të kenë tejkaluar të drejtat e tyre duke braktisur punën, kjo mund të jetë e vërtetë. Por, të cilësosh grup puçist i orkestruar nga Ilir Meta e Sali Berisha disa kontrollorë që kërkojnë pagat e plota, kjo nuk ndodh as në fantazinë më të sëmurë. Përveç linçimit publik që iu bë nga qeveria, ajo që është e paparanueshme për një vend demonkratik, është qëndrimi që mbajti për ngjarjen drejtësia dhe media. Media (Tv-të kombëtare), i linçuan njësoj si qeveria duke mos publikuar reagimin e shoqatës europiane të kontrollorëve ajror ATCEUC që dënonte raprezaljet e agjencive ligjzbatuese të qeverisë.

Gjoba 110 milionëshe e Becchetti-t ku për mbylljen e “Agon Channel” përfituesit qenë televizione pranë qeverisë, e bën të qartë linjën e tyre editoriale lëpirëse ndaj pushtetit. Ndërsa drejtësia edhe kësaj here nuk “zhgënjeu” duke lënë në qeli puçistët. Ky është një tregues i qartë që vendi po rrëshket në diktaturën e partisë-shtet dhe e kryeministrit-mbret. Në asnjë vend demokratik nuk ndodh që të arrestohen punonjësit dhe të trajtohen si puçistë për shkak të grevës.

Dikujt i pelqen të përmendë Presidentin Regan që shkarkoi gjithe kontrollorët e trafikut ajror. E vërtetë, po askush nuk u arrestua. Është e "mahnitëshme" shpejtësia e prokurorëve dhe gjyqtarëve për të çuar pas hekurave për shpërdorim detyre ca kontrollorë?! Po si ka mundësi që për një faturë 110 milion euro të gjykuar nga gjyqtarë të drejtësisë ndërkombëtare, që i shikojnë si abuzive veprimet e qeverisë për mbylljen e "Agon Channel", nuk ka shperdorim detyre nga askush? A mund t’iu besosh këtyre gjyqtarëve delenxhinj të pushtetit se do jenë të paanshëm në vendimet e tyre për pretendimet e palëve politike për zgjedhjet?

Dikur ministri Balluku u dergua nga diktatori si puçist para togës së pushkatimit edhe pse një dekadë më parë ministri Balluku për të treguar devotshmërinë e tij, rrethoi Ambasadën Sovjetike në Tiranë duke kërcënuar Ambasadorin Çuvahin se në rast se i ndodhte gjë Enverit që merrte pjesë në takimin e 81 partive komuniste në Moskë, ai do arrestonte si pengje të gjithë shtetasit sovjetikë që gjendeshin në Shqipëri?! Po sot ç’do të ndodhë me “puçistët” e Rinasit?

©Ilir Gjini