Kolumnist

Ja kush i “fitoi” zgjedhjet - Nga Ilir Gjini

Zgjedhjet i fitoi regjimi kleptokratiko-mediatik.

Zgjedhjet i fitoi Toma i Doshëve i shpallur “non grata” në Amerikë e Australi për korrupsion dhe trafik droge, që pa bërë asnjë ditë fushatë, gdhihet me tre mandate.

Zgjedhjet i fitoi Klement Xhaferri, që me paratë e trafikut blen zgjedhjet dhe pasi përplaset me armë më “policinë” e demokratëve, ikën në drejtim të paditur në sy të dy nëndrejtorëve të Policisë së Shtetit.

Zgjedhjet i fituan oligarkët e PPP-ve pa garë. Oligarkët e mediave TV Klan, Top-channel, Vizion Plus & Co që u vunë në dispozicion të pushtetit deri në neveri. 15% më shumë kohë televizive për qeverinë, thotë raporti i vëshguesve ndërkombëtar gjatë fushatës. Po para fushates?

Zgjedhjet i fitoi “Open”, ku regjinë e bën Taulant Balla duke e detyruar gazetarin Andi Bushati, ndoshta i vetmi i pavarur, ta braktisë.

Zgjedhjet i fitoi “Opinion”, që i bën reklamë Kryeministrit duke anashkalur skandale si ai i të dhënave personale, e shumë të tjerë.

Zgjedhjet i fitoi Policia e Shtetit që nuk luftoi bandat në tetë vite, duke i lënë dorë të lirë banditëve të ndikonin procesin zgjedhor.

Zgjedhjet i fitoi Kryepolici Veliu, që gënjen dhe manipulon opinionin publik siç bëri në krimin zgjedhor në Elbasan.

Zgjedhjet i fitoi Prokuroria, që si rrufe arreston me urdhër qeverie kontrollorët e Rinasit, por që mbyll sytë para krimeve zgjedhore.

Zgjedhjet i fitoi SPAK-u, që mbyll sytë para megaskandalit të vjedhjes së të dhënave personale duke intimiduar gazetaret.

Zgjedhjet i fituan patronazhistët me në krye kryepatronazhistin Rama, që vëzhgojnë jetën personale të gjithsecilit, duke krijuar policinë sekrete paralele.

Zgjedhjet i fitoi klima revolucionare e armiqësore me të cilën Rama intimidon opozitën, gazetarët dhe intelektualët e lirë.

Zgjedhjet i fitoi Ambasadorja Guvernatore Kim, që bën avokaten e qeverisë për çdo skandal, siç ishte ai i të dhënave personale. Madje edhe për marrëveshjen e 5 Qershorit që vet e inicoi dhe e braktisi opozitën kur Rama e hodhi marrëveshjen në kosh.

Zgjedhjet i humbi:

Lulzim Basha për braktisjen e parlamentit dhe zgjedhjeve lokale. Për dështimin e rrugës radikale duke pranuar të futet në zgjedhje, pa asnjë garanci. Për mos garantimin e votës, që u deformua në sy të komisionerëve edhe gjatë numërimit. Për mos hapje sa duhet të partisë duke ruajtur gardën e vjetër.

Sali Berisha, që edhe pse ka dhënë dorëheqjen, vazhdon ta drejtojë PD-në me protagonizmin e vet. Lideri historik Berisha, megjithë meritat e padiskutueshme, duhet të bëjë mënjanë për t’i lënë vendin të rinjve.

A mund ti fitoj opozita zdhjedhjet?

Pa ndryshuar rregullat për një garë të barabartë, fitorja do të ishte utopi. Pse? Sepse ndarja administrative e territorit është bërë sipas votave që PS merr. Kodi zgjedhor i ndryshuar me votat e klounëve të opozitës që në këto zgjedhje morrën një grusht vota, e ndalon opozitën të bëjë koalicione parazgjedhore.

Opozita duhet të reflektojë duke bërë një analizë të thellë të humbjes. Lideri Basha duhet të dorëhiqet edhe pse zgjedhjet u vodhën. Opozita ka nevojë jetike për një lider të fortë, të pakonsumuar në pushtet. Opozita duhet të evidentojë të gjitha manipulimet dhe grabitjet e votave dhe të ketë një marrëdhënie të kondicionuar me parlamentin, vetëm në funksion të ligjit zgjedhor ku lejohen koalicionet dhe listat 100% të hapura.

Do të ishte në të mirën e demokracisë që këto zgjedhje të shpalleshin të pavlefshme dhe të mos njiheshin nga opozita.

P.S.

7x7 = 42 sipas Lulit

7 x non grata x Y = 3 mandate sipas Tomës

©Ilir Gjini